2007-03-15 18:23:41

Lajme nga bota.


(15.03.07 RV)Është arrestuar pas 4 vjetësh arratisje Andrija Draskoviç, trashëgimtari shpirtëror i ish-komandantit të trupave paraushtarake serbe Zheljko Raznatoviç, i mbiquajtur “Arkan”, i cili u vra në Beograd më 5 janar të vitit 2000.
43 vjeç, me origjinë nga Mitrovica, Draskoviç është arrestuar në aeroportin e Frankfurtit falë një mandati ndërkombëtar të prokurorisë italiane, ndërsa po kthehej nga Beogradi. Ai konsiderohet nga prokuroria e Barit si një ndër bosët më të mëdhenj të mafies në ish-Jugosllavi. Hetimet e autoriteteve të Barit në lidhje me kontrabandën ndërkombëtare të cigareve dhe pastrimin e parave, përfshijnë edhe ish-presidentin dhe ish-kryeministrin e Republikës së Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

Khalid Sheik Muhamed, i dyshuar si një nga ideatorët e sulmeve terroriste të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka pranuar përfshirjen në to dhe në sulme të tjera të Al Kaidës.
Lajmi njoftohet nga Pentagoni, i cili sqaron se Muhamed i bëri deklaratat e mësipërme gjatë seancës së mbyllur dëgjimore për të dhe për tre të burgosur të tjerë të burgut famëkeq të Guantanamos.
Muhamed ka pranuar se ka qenë drejtori ekzekutiv i Osama Bin Ladenit.
Ai ka marrë përsipër përgjegjësinë për planifikimin e 28 sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara, Britani, Izrael dhe vende të tjera.


Kryeministri palestinez Ismail Hanijeh paraqiti sot listën e qeverisë së re të bashkimit kombëtar, për të cilën u arrit mbrëmë marrëveshja ndërmjet partisë Al Fatah dhe organizatës Hamas.
Në platformën e ekzekutivit theksohet se “rezistenca ndaj pushtimit izraelit është një e drejtë legjitime e palestinezëve”. Më tej, përmendet edhe problemi i ushtarit izraelit të rrëmbyer, Xhilad Shalit, me të cilin qeveria do të merret në kuadrin e një shkëmbimi të ndershëm të burgosurish – thuhet në tekst. “Rezistenca – theksohet më pas – do të përfundojë kur të arrihet pavarësia”.
Izraeli ka bërë të ditur se nuk do të bashkëpunojë me këtë qeveri, pasi parimet e saj politike janë në kundërshtim me të gjitha kërkesat ndërkombëtare për njohjen e shtetit hebraik, për njohjen e marrëveshjeve të nënshkruara më parë e për ndalimin e dhunës.
Më i kujdesshëm Bashkimi Evropian, i cili nëpërmjet përfaqësuesit për politikën e jashtme, Havier Solana dhe zëdhënëses së komisares për Marrëdhëniet me Jashtë, Benita Ferrero-Valdner ka bërë të qartë se para se të marrë çdo lloj vendimi, dëshiron të njihet me ekzekutivin dhe me detajet e platformës së tij politike.


Diplomatët përfaqësues të gjashtë fuqive të mëdha, që bëjnë pjesë në grupin 5+1, kanë arritur një marrëveshje në parim rreth sanksioneve të reja ndaj Iranit, i cili ka njoftuar disa herë se nuk ka ndërmend të ndalojë programin e tij bërthamor. Si përgjigje, presidenti iranian Ahmadinexhad deklaroi se Këshilli i Sigurimit i OKB-së "nuk e ka legjitimitetin" për të imponuar rezolutat e tij.


Presidenti rus Putin ndodhej sot në Athinë, ku nënshkroi me Greqinë dhe Bullgarinë marrëveshjen për kalimin e linjave të transportimit të gazit nga Deti i Zi në atë Egje. Ky projekt, që parashikon ndërtimin e një korridori prej 280 kilometrash, i jep mundësi Rusisë të transportojë gazin në perëndim, duke mënjanuar Turqinë.


Pas Francës, edhe Uashingtoni po diskuton për miratimin e një ligji, që do ta cilësojë genocid vrasjen e afro 1.5 milionë armenëve rreth një shekull më parë. Sipas dy zyrtarëve të lartë të administratës Bush, siguria e Shteteve të Bashkuara rrezikohet nga miratimi i një ligji të tillë.







All the contents on this site are copyrighted ©.