Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa theksoi se Kisha mbështetet mbi bashkimin
e ngushtë ndërmjet ipeshkvijve, klerit e besimtarëve për të qenë, të gjithë së bashku,
imitues të Krishtit e apostuj të Ungjillit
(14.03.2007 RV)Bashkim i çdo besimtari me Krishtin, derisa t’i përngjajë plotësisht.
Bashkim i klerit dhe i besimtarëve me ipeshkvijtë për t’i kumtuar Ungjillin botës.
Në audiencën e sotme të përgjithshme, që nisi të mbahet përsëri në Sheshin e Shën
Pjetrit, Benedikti XVI u foli 40 mijë besimtarëve të pranishëm për përvojën e fesë
që kërkon, mbi të gjitha, bashkim e mision. E këtë e bëri duke u nisur nga fjalët
e njërit nga personalitetet më karizmatike të bashkësive të para të krishtera, Shën
Injacit të Antiokisë. “Nuk duhet ndërmarrë asnjë veprimtari që ka të bëjë me Kishën,
pa ipeshkvin”. Na vjen nga Kisha më e lashtë - nga ajo në të cilën ndjehet fuqimisht
freskia e kohëve të para dhe jehona e një breznie që njohu drejtpëdrejtë apostujt
– një nga shtyllat mbi të cilat mbështetet tradita e saj dymijëvjeçare: bashkimi i
ngushtë ndërmjet pjesëtarëve të ndryshëm të bashkësisë së krishterë, me në krye ipeshkvin.
Mijëra besimtarëve e shtegtarëve, të cilët sot e ndoqën audiencën e së mërkurës në
Sheshin e Shën Pjetrit, të ndriçuar nga një diell i ëmbël pranveror, Benedikti XVI
u paratiti si shembull një bari të njohur të Antiokisë, Shën Injacin, që u quajt ‘dijetar
i bashkimit’, falë energjisë së tij të ndriçuar nga Zoti, me të cilën iu kundërvu
herezive, që nisën të përhapen qysh në ditët e para të vitit 100 pas Krishtit. “Asnjë
nga Etërit e Kishës nuk e shpreh me thellësinë e Shën Injacit dëshirën e zjarrtë
të bashkimit me Krishtin e me jetën në Të. Në të vërtetë, tek Shën Injaci shkrihen
dy rryma shpirtërore: ajo e Palit, e prirur plotësisht drejt bashkimit me Krishtin
e ajo e Gjonit, e përqendruar mbi jetën në Jezusin, dy rryma që të çojnë në përpjekjen
për t’i përngjarë Krishtit”. Ky tension i papërballueshëm i Injacit për t’u
bërë një me Krishtin – vërejti Benedikti XVI – themelon mistikën e mirëfilltë të bashkimit.
Por – shpjegoi më pas Papa – bashkimi “në gjendje të pastër” gjindet vetëm në Zotin,
prandaj ajo që mund të realizojnë njerëzit nuk është tjetër veçse përpjekja për t’i
përngjarë, mundësisht sa më shumë, modelit. Ashtu si Papa Klementi romak – figurë
tjetër e përmendur e krishterimit të lashtë, propozuar nga Benedikti XVI të mërkurën
e kaluar, edhe Shën Injaci i Antiokisë ngul këmbë, me mësime e figura, mbi vlerën
e bashkimit themelor që i lidh ndërmjet tyre të gjithë besimtarët në Krishtin. “Duket
qartë përgjegjësia e posaçme e ipeshkvijve, e meshtarëve dhe e diakonëve në përforcimin
e bashkësisë. Vlen në radhë të parë për ta ftesa për dashuri e bashkim (…) Injaci,
i pari në letërsinë e krishterë, e quan Kishën ‘katolike’, dmth ‘universale”. E pikërisht
në shërbimin që i bën unitetit të Kishës katolike, bashkësia e krishterë e Romës,
sipas tij, ushtron një lloj parie në dashuri (…). Siç shihet, Injaci është vërtetë
“doktor në unitet’. Në fund të fundit - pohoi Benedikti XVI- realizmi i Shën
Injacit i fton të krishterët e djeshëm e të sotëm të zotërojnë atë shpirt të pandarë,
që është vetë Krishti. “Fton kështu për sintezën progresive ndërmjet përpjekjes
për t’i shembëllyer Krishtit e përkushtimit ndaj Kishës, ndërmjet bashkimit të Kishës
brëndapërbrënda e misionit. E ne lutemi që Zoti të na ndihmojë ta gjejmë këtë unitet,
sepse është dashuria ajo që pastron shpirtrat”. Mësimi i Shën Injacit u aktualizua
në fjalët që Papa, pasi i përshëndeti në dhjetë gjuhë shtegtarët në Sheshin e Shën
Pjetrit, u drejtoi besimtarëve nga Pulia, të cilët shoqëroheshin nga ipeshkvijtë
e tyre, të pranishëm në Romë për vizitën ‘ad Limina”: “Të dashur miq, ju jap
zemër të bashkëpunoni gjithnjë më shumë në misionin e Kishës për të përballuar kështu
me hov të ri apostolik, sfidat e panumërta shoqërore e fetare të epokës së sotme.
E ju, të dashur vëllezër në Ipeshkvi, mos u lodhni kurrë s’i nxituri ata që i janë
besuar kujdesit tuaj baritor për ta takuar Krishtin e gjallë mes nesh, duke i përmbushur
plotësisht mësimet e Ungjillit e kërkesat morale që burojnë prej tij”.