2007-03-14 18:22:50

Lajme nga bota.


(14.03.07 RV)Ushtria amerikane ka filluar një operacion për arritjen e sigurisë në krahinën e trazuar irakiane, Dizhala. Rreth 700 ushtarë u nisën nga Bagdadi për t'u bashkuar me 3.500 ushtarët e tjerë amerikanë dhe 20.000 ushtarët irakianë, të cilët tashmë ndodhen në vend. Që prej verës, sulmet ndaj trupave amerikane në këtë krahinë janë shtuar me 70%. Edhe sot, në tri episode të ndryshme, janë vrarë tre ushtarë amerikanë.


Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Xhorxh Bush, përfundoi sot vizitën e tij në 5 vende të Amerikës Latine. Vendi i fundit i turneut qe Meksika, në të cilin Bush takoi presidentin, Felipe Kalderon.
Takimet e presidentit amerikan në rajon u dominuan nga çështjet e emigracionit. Liderët e Meksikës, Guatemalës dhe Kolumbisë kërkuan që Shtetet e Bashkuara të krijojnë lehtësira në këtë drejtim.


Shefi për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë në Bashkimin Evropian, Havier Solana ndodhet sot për një vizitë në Damask të Sirisë, pas vizitave në Liban e në Arabinë Saudite. Pas takimit me presidentin e Sirisë, Bashar al-Asad, Solana kërkoi që t'i jepet fund trafikimit të armëve në kufirin e Libanit, si dhe të formohet një gjykatë për të zgjidhur çështjen e vrasjes së ish-kryeministrit libanez, Rafik al-Hariri. Gjithsesi, sipas Solanës, ndërmjet Sirisë dhe Bashkimit Evropian ka shumë pika të përbashkëta, gjë që konfirmon përfshirjen e Damaskut në proceset e paqes në Lindjen e Mesme.







All the contents on this site are copyrighted ©.