2007-03-12 18:20:42

Audienca e Papës me presidentin Putin në Vatikan, do të favorizojë dialogun ndërmjet katolikëve e ortodoksëve: e nënvizon nunci Antonio Penini.


(12.03.2007 RV) Nesër Benedikti XVI do të presë në audiencë presidentin rus, Vladimir Putin. Është hera e tretë që Putin viziton Vatikanin, por hera e parë që takohet me Benediktin XVI. Dy herët tjera, e pikërisht më 5 qershor 2000 e 5 nëntor 2003 është pritur nga Gjon Pali II.
Për të ditur diçka më shumë për rezultatet e mundshme të këtij takimi, intervistuam nuncin apostolik Antonio Menini, përfaqësues i Selisë së Shenjtë në Federatën Ruse: RealAudioMP3
Përgjigje - Vizita e presidentit flet vetë për marrëdhëniet e mira që ekzistojnë në nivele të ndryshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Federatës Ruse. Përsa i përket rezultateve të mundshme, jam i sigurtë se Ati i Shenjtë dhe Presidenti Putin do të gjejnë një gjuhë të përbashkët në temat e mëdha, që kanë më tepër rëndësi për fatet e njerëzimit. Edhe kohët e fundit, në një konferencë shtypi, presidenti vlerësoi impenjimin e Kishave e të konfesioneve fetare në Rusi pikërisht sepse përpiqen të krijojnë frymën e pajtimit e të bashkimit ndërmjet gjithë besimtarëve të Rusisë. E mendoj se ky do të jetë një aspekt për të cilin Ati i Shenjtë ka shumë për të thënë mbi bazën e përvojës së tij. Pra mund të besojmë se takimi do të ndikojë pozitivisht në marrëdhëniet e mëtejshme ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Federatës Ruse, në dobi edhe të Kishës katolike në Rusi.
Pyetje: - Ka mundësi që Papa e Putin të flasin gjermanisht, gjuhë që presidenti rus e njeh shumë mirë….
Përgjigje: - Po. Duhet të them se ky ishte një gjest mirësjelljeje nga ana e presidentit, i cili bëri të ditur se është gati të flasë drejtpëdrejtë në gjuhën amë të Atit të Shenjtë, të cilën Putin e njeh mirë.
Pyetje: - Në ç’pikë jemi në marrëdhëniet ndërmjet Kishës katolike e Kishës ortodokse, pas vështirësive të viteve të kaluara?
Përgjigje: - Përsa u përket marrëdhënieve më të drejtpërdrejta ndërmjet dy kishave, këtu, në Federatën Ruse, pasi u ngrit Komisioni i përbërë dypalësh për studimin dhe zgjidhjen e problemeve e të keqkuptimeve në vend, situata është përmirësuar, sidomos në planin e atmosferës personale, dmth se ndërmjet anëtarëve të Komisionit tashmë është krijuar një atmosferë miqësie e mirëkuptimi, që premton shumë.
Pyetje: - Teologu Jozef Razinger është vlerësuar gjithnjë nga ortodoksët. Si vlerësohet sot impenjimi ekumenik i Benediktit XVI?
Përgjigje: - Pas vizitës së Atit të Shenjtë në Kostantinopojë, vlerësimet e përfaqësuesve të lartë të Patriarkanës kanë qenë shumë pozitive. Por një qëndrim i tillë ka nisur që pas fjalimeve të para të papnisë së Shenjtërisë së Tij. Kohët e fundit, edhe me interesimin e palës ortodokse, po rishtypet vëllimi shumë i njohur “Hyrje në kristianizëm’ i shkruar nga Benedikti XVI kur ishte akoma kardinal, me parathënie të metropolitit Kirill.
Pyetje: - Në ç’pika është më lehtë të dialogohet me ortodoksët, edhe në dritën e përvojës së përditshme të besimtarëve?
Përgjigje: - Bëhen seminare të përbashkëta, kërkime shkencore të përbashkëta: e kjo më duket shumë e rëndësishme. Pastaj ka edhe bashkëpunim në nivel lokal: për shembull, gjatë vizitave të mia ndër famullitë katolike – duke lënë mënjanë disa situata të vështira që, për fat të keq, nuk mungojnë – edhe për shkak të njohjes së pamjaftueshme ndërmjet njërës e tjetrës Kishë, vërej se shpesh nuk mungon përvoja e bashkëpunimit.
Pyetje: - Shumkush dëshiron të dijë diçka rreth një takimi të mundshëm të Papës me Patrikun Aleksej II. Janë pjekur kushtet?
 Përgjigje: - Shenjtëria e Tij Aleksej II, ashtu si përfaqësues të tjerë të kësaj Kishe, e kanë prekur shpesh këtë argument. Patriku nuk e ka pëjashtuar asnjë herë këtë mundësi. Ka nënvizuar gjithnjë se kjo ngjarje e madhe duhet të shënojë një pikarritje reale e faktike të afrimit e të paqëtimit ndërmjet Kishave. Po kujtoj vetëm se disa vjet më parë kardinali Sodano, lidhur me një vizitë të mundshme të Gjon Palit II në Rusi, thoshte: “Kjo vizitë duhet të jetë dhuratë për të gjithë të krishterët, e jo vetëm për katolikët”. Natyrisht edhe ne e urojmë, sepse do të ishte tepër e rëndësishme jo vetëm për botën e krishterë, por pikërisht për mbrojtjen e vlerave të përbashkëta e të shtëpisë së përbashkët evropiane, mbrojtjen e së cilës e ka shumë për zemër edhe Kisha ortodokse.








All the contents on this site are copyrighted ©.