2007-03-11 16:41:56

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(11.03.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e tretë të Krezhmëve
Nesër, e hënë, do të kremtojë Shën Maksimilianin, martir e Shën Inoçencin, papë. Na kujtojnë se udha që çon drejt shëlbimit kërkon edhe nga ne, si nga Naamani, të shndërrohemi, të harrojmë mburrjen e vetdashjen e ta lëshojmë plotësisht e përvujtërisht vetveten në dorë të Zotit.
Liturgjia e festës së Shën Sabinit, martir; Shën Patricies; Shën Kristinës martire e Shën Leandrit, ipeshkëv i Seviljes, të marten e ardhshme, të kujton se kur i lutemi Zotit të na falë, ai i Lumi na tregon një rrugë paradoksale: do të falemi, vetëm në se falim atë që kemi pranë.
Shën Matilda, mbretëreshë dhe i Lumi Plaçido Rikardi, murg në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës, që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.
Liturgjia e Fjalës së Zotit, që do të ndjekim të enjten e ardhshme, në festën e Shën Zakarisë papë; të Shën Luizës de Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të dashurisë e të Shën Klementit Hofbauer, meshtar redentorist, na kujton rëndësinë e dëgjimit të fjalës së Zotit e të ballafaqimit me të, sa herë që, si farizejtë, tundohemi të gjykojmë njerëz e ngjarje.
Shën Hilari e Shën Taciani, martirë të Akuilesë, që do të kremtohen të premten, na kujtojnë se Zoti ka fjalët e jetës së amshuar, se është dashuri e se na fton të duam e të duhemi. Shën Patriku, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe shën Gjoni Sarkandër, që do të festohen të shtunën, na kujtojnë ftesën e përsëritur të Zotit për t’u penduar, ndonëse Ai i Lumi e di mirë se do të mëkatojmë përsëri. Atij i intereson që ne t’i flakim maskat e hipokrizisë e të pranojmë haptazi se kemi tepër nevojë për t’u shëlbuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.