Përkujtojmë sot një grup martirësh të fesë katolike, pushkatuar te Zalli i Kirit më
11 mars 1948.
(11.03.2007 RV)Në nëntor të 2002-shit, në sakardinaliSepe,
Prefekt i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve takohej me prelatët e Konferencës
Ipeshkvnore katolike të Shqipërisë në Seminarin e Madh të "Zojës së Këshillit të Mirë"
në Shkodër, kujtoi dy ipeshkvijtë e mëdhenj martirë, Imzot Vinçenc Prennushin dhe
Imzot Frano Gjinin, si edhe radhën e gjatë të martirëve e të dëshmitarëve të fesë:
priftërinj, rregulltarë, rregulltare e besimtarë laikë. Që kujtimi i tyre të mos
humbasë - nënvizoi kardinali Sepe - por të bëhet shembull për breznitë e ardhshme,
është detyra juaj, më se e ligjshme, ta çoni më tutje çështjen e lumnimit të shumë
vëllezërve heroikë në fe. Një nismë e tillë do t'i sigurojë Kishës në përgjithësi,
e asaj shqiptare në veçanti, një numër të madh ndërmjetësuesish para fronit të Zotit. Ndërmjet
tyre janë edhe Imzot Frano Gjini, Atë Mati Prendushi e Atë Çiprijan Nika. Po kujtojmë
sot ditën e flijimit të tyre. Ishte data 11 mars 1948 kur shkodranët e tmerruar
dëgjuan përsëri të shtëna mitrolozi te zalli i Kirit. Flijoheshin këtë ditë për Krishtin
e për Shqipërinë, përveç tre meshtarëve të lartpërmendur, edhe Monsinjor Nikollë Deda
bashkë me 12 besimtarë katolikë. Monsinjor Nikollë Deda lindi në Shkodër
më 1892. Mësimet e para e të mesme i kreu në vendlindje, pranë Kolegjës Saveriane,
të lartat- në Romë (Itali) e në Insbruk (Austri). U shugurua meshtar më 1917: Shërbeu
në Qelës (Pukë) e Hajmel. Gjatë këtyre viteve, për shërbim shembullor meshtarak, iu
dha titulli Monsinjor. U arrestua në dhjetor 1946. E torturuan aq, sa kur i sollën
në qeli një meshtar tjetër e nuk e njohu ai, me një humor tragjik, i tha: "Mos harro
se dikur kam pasë kenë Dom Nikollë Deda". E gjykuan me akuzat e zakonshme në një
gjyq-farsë. U dënua me vdekje dhe u ekzekutua më 11 mars 1948. Atë Mati Prendushi: Lindi
në Shkodër më 1882. Mësimet e para e të mesme i kreu në Shkollën françeskane; të lartat,
në Grac-Austri. Meshën e parë e çoi më 1904. Më 1911 ishte pranë Dedë Gjo'Lulit, në
sa ky shpaloste në majë të Deçiçit flamurin shqiptar, larë me gjakun e bijve të vet.
Jugosllavët e dënuan me vdekje si atdhetar i flakët, por më pas ia falën dënimin.
Shërbeu si famullitar në Bajzë, Gomsiqe, Tiranë e Shkodër, ku më 1943 qe provinçal
i fretërve. U arrestua nga komunistët më 1946 e u dënua rishtas me vdekje, këtë
radhë nga bashatdhetarët e vet, i akuzuar si tradhtar i Atdheut. U pushkatua më 11
mars 1948 te Zalli i Kirit. Atë Çiprijan Nika: Lindi në Shkodër më
19 korrik 1900. Mësimet fillore e të mesme i kreu në Shkodër, të lartat - në Austri.
U shugurua meshtar më 1924. Më 1938 qe provinçal i fretërve; nga viti 1943 deri më
1936 - guardian i kuvendit françeskan në Shkodër. U arrestua më 1946 me akuzën e fshehjes
së armëve në kishën françeskane, armë të vendosura aty nga vetë sigurimi, histori
që është shtjelluar gjërë e gjatë nga Nikë Stajka, i pranishëm në këtë skenë kulmore
të tragjedisë së Kuvendit të Gjuhadolit, në librin "Dera e Thyeme". U pushkatua
pa gjyq më 11 mars 1948. Mbeti në kujtesën e atyre që e njohën, si meshtar shenjt,
i përvuajtur, i kulturuar, atdhetar, muzikant e shkrimtar i talentuar: përmbushte
kështu të gjitha kushtet, të cilat në Shqipërinë komuniste të çonin në pushkatim.
Imzot Frano Gjini: Lindi në Shkodër në vitin 1886. Pasi kreu Kolegjën
Saveriane, vijoi studimet në Universitetin Urbanian në Romë. Menjëherë pas shugurimit
u kthye në Atdhe dhe filloi shërbimin meshtarak si famullitar në Laç, Vlorë e Durrës.
Më 1930 u emërua Ipeshkëv i Durrësit; dy vjet më vonë - Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës
me selí në Orosh; më 1945, pas largimit të delegatit apostolik, Imzot Nigris, nga
Shqipëria, u emërua nga Selia e Shenjtë zevendës-delegat apostolik. Ishte e para herë
që një shqiptari i besohej një detyrë kaq e lartë. U arrestua në tetor 1946 me
akuzën "agjent i Vatikanit" së cilës s'munguan t'i shtoheshin edhe akuza të tjera.
Gjeti në qeli pjesën kryesore të sivëllezërve në meshtari. Por atij, si zevendës-delegat,
iu bë një trajtim i posaçëm: mbi trupin tij komunistët eksperimentuan të gjitha llojet
e torturave, për ta bindur ta shkëpuste Kishën katolike nga Selia e Shenjtë. Qëndroi
si shenjtënt, derisa e pushkatuan më 11 mars 1948, duke ia këputur brohoritjen e fundit:
"Rrnoftë Krishti mbret! Rrnoftë Shqipnia, edhe pa ne!". Selia e Tij nuk mbeti e zbrazët:
pas Imzot Angjelo Masafrës, që tani i prin kryedioqezës metropolite të Shkodër-Pultit,
Papa Benedikti XVI emëroi ipeshkëv të dioqezës të Rrëshenit, imzot Kristofor Palmierin,
rregulltar nga Bitonto (Bari).