Falimentojnë bisedimet serbo-kosovare në Vjenë. Brenda marsit, plani i Ahtisarit në
Këshillin e Sigurimit.
(11.03.07 RV)Pas një viti negociatash, përfundoi dje në Vjenë, takimi i fundit
ndërmjet serbëve dhe kosovarëve për statusin e Kosovës. I dërguari i OKB-së, Marti
Ahtisari shpalli se bisedimet kanë falimentuar krejtësisht. Brenda muajit, kryenegociatori
do t’ia parashtrojë planin e tij Këshillit të Sigurimit të OKB-së, i cili ka edhe
fjalën e fundit përsa i përket së ardhmes së Kosovës. Dje u dogj pra, edhe shansi
i fundit për të arritur një marrëveshje ndërmjet Beogradit e Prishtinës, paraqitur
në Vjenë me delegacione të nivelit më të lartë. Për palën kosovare, presidenti Fatmir
Sejdiu dhe kryeministri Agim Ceku, e për palën serbe, homologët Boris Tadiç dhe Vojisllav
Koshtunica. “Në fund të fundit – deklaroi pas bisedimeve, Marti Ahtisari – palët
nuk treguan vullentin e mirë për të ndryshuar qëndrimet e tyre”. Nuk ka asnjë dyshim,
shpjegoi ai, se nuk ekziston terren i përbashkët ndërmjet tyre. Delegacioni serb përsëriti
se propozimi i kryenegociatorit të OKB-së mbetet “i papranueshëm në themel”, ndërsa
delegacioni kosovar, pavarësisht se e pranoi atë, e përkufizoi si “një kompromis të
dhimbshëm”, për faktin se nuk përmendet fjala “pavarësi”. Menjëherë pas përfundimit
të takimit në Vjenë, komisari evropian për zgjerimin, Olli Rehn, duke falenderuar
Ahtisarin për punën e vështirë të negociatorit, kryer gjatë një viti bisedimesh, theksoi
se “zgjidhja e të dërguarit të OKB-së është një kompromis realist… që përbën një skemë
për një Kosovë të qëndrueshme, demokratike e multietnike në të ardhmen”. Rehn nënvizoi
me kënaqësi “rëndësinë që i jepet në plan, mbrojtjes së të drejtave të bashkësive
të ndryshme etnike, së drejtës së refugjatëve për t’u kthyer në shtëpitë e tyre, mbrojtjes
së vendeve kulturore dhe fetare dhe klauzolave të decentralizimit. Serbia u largua
nga Vjena me shpresën se aleatja e saj e përhershme, Rusia do të përdorë veton në
Këshillin e Sigurimit, por Moska, megjithëse ka kërkuar shpesh t’u jepet kohë palëve
për të arritur një marrëveshje ndërmjet tyre, nuk ka përmendur asnjëherë haptas se
do t’i japë Beogradit një ndihmë të tillë në instancat ndërkombëtare.