2007-03-10 18:43:00

E diela e tretë e Krezhmëve: Meditim


(10.03.2007 RV)Ti o Krisht, na zhduk çdo dyshim.
Gabohet ai që mendon
se Hyji Atë të kall frikë,
se di të përdorë mjerim e fatkeqësi
termete e thatësi
që të gjithë pushtetin t’ia kundrojmë;
e mburrja jonë, e krenaria jonë
përpara fytyrës së tij të bëhen pluhur,
e kryengritja jonë të shuhet,
e më dysh të thyhet vullneti ynë njerëzor.
Jo, jo, nuk është kjo fytyra e Atit tënd, o Krisht.
Ai është mirësi e mëshirë,
durim e dashuri.
Veç s’duhet të besojmë,
se do të na falë pambarim,
se do të na presë pafund
der’sa të pendohemi.
Dashuria jote e meriton
vëmendjen tonë,
vëmendje e përkushtim;
e meriton dhe të marrin një vendim.
Kush të do, o Zot,
nuk mund ta shtyjë pacak
çastin për ta pranuar ftesën tënde,
për të këputur çdo lidhje me mëkatin
për t’ nisur pa ngurrim,shtegun që çon në shëlbim!







All the contents on this site are copyrighted ©.