2007-03-09 17:13:13

Mjetet e komunikimit të impenjohen për të promovuar dinjitetin e njeriut dhe për të mbrojtur familjen:thirrje e Papës në audiencën me Këshillin Papnor të Komunikimeve Shoqërore.


(09.03.2007 RV)RealAudioMP3 Në rrethanat e reja të globalizimit të mediave, është urgjente të promovohen vlerat e dinjitetit njerëzor e të familjes – pohoi sot paradite Papa, duke pritur në audiencë pjesëmarrësit në mbledhjen plenare të Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore.
Nuk mund të nënvleftësohet rëndësia e apostullimit të komunikimeve shoqërore – vijoi Benedikti XVI gjatë audiencës, duke theksuar se kjo është detyrë urgjente në një botë gjithnjë më shumë teknologjike, që ndryshon vazhdimisht. Ndërsa shtypi memzi ecën me hapin e kohës, radioja, televizioni e interneti përparojnë me një shpejtësi të jashtzakonshme. Ky zhvillim i mjeteve elektronike – vijoi Ati i Shenjtë – përkon me përqëndrimin e tyre në duart e pak grupeve ndërkombëtare. Duke pasur parasysh rolin e jashtzakonshëm të mediave, kjo çështje u intereson të gjithë atyre që e kanë për zemër të mirën e shoqërisë.
“Pa dyshim – vijoi Papa – mjetet e ndryshme të komunikimit i kanë siguruar përfitme të ndjeshme qytetërimit. Interneti, sidomos, ka hapur rrugët për të hyrë në një botë njohurish, në të cilën më përpara shumkush e kishte tepër të vështirë të depërtonte. Janë kontribute për të mirën e përbashkët, që duhen lavdëruar e inkurajuar”.
Por nga ana tjetër – tërhoqi vëmendjen Papa – shumë nga ç’transmetohet në forma të ndryshme në shtëpitë e miliona njerëzve në botë, është shkatrrimtare. Në këto rrethana Kisha ‘bën të lindë shpresa” duke rrezatuar dritën e Krishtit mbi këtë errësirë. Është një dritë që duhet ta mbajmë ndezur të gjithë në shtëpitë tona e në shoqëri. Kështu u shpreh Benedikti XVI e më pas rikujtoi temën e mesazhit të tij për Ditën Botërore të Komunikimeve, kushtuar sivjet lidhjes ndërmjet mediave e të rinjve:
 “Shqetësimet e mia – ripohoi Benedikti XVI – janë ato të çdo babai, të çdo nëne, të çdo mësuesi e të çdo njeriu të përgjegjshëm, e duhet të jenë edhe të mjeteve të komunikimit, të cilat duhet ta ndjejnë fort përgjegjësinë që kanë në mbrojtjen e dinjitetit themelor të njeriut e të jetës familjare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.