2007-03-09 17:13:24

Mbi lumninë e njerëzve të pastër në zemër: meditim i predikatarit të Shtëpisë Papnore, atë Kantalamesës.


(09.03.2007 RV)RealAudioMP3 “Lum ata që janë të pastër në zemër, sepse do të shohin Hyjin”kjo ishte tema e meditimit të parë të Krezhmëve, mbajtur sot nga predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Raniero Kantalamesa, në prani të Papës e të Kuries Romake.
Predikatari i nxiti të pranishmit të meditojnë mbi virtytin e pastërtisë së zemrës, duke theksuar se një virtyt i tillë është i barabartë me urdhërimin e Tynzot: “Mos kryej akte të papastra”. Por duhet pasur mirë parasysh – shpjegoi predikatari, se pastërtia e zemrës në mendimin e Krishtit nuk është virtyt i posaçëm: është cilësi që duhet t’u prijë të gjitha virtyteve të tjera. Ndërsa e kundërta e pastërtisë së zemrës nuk është papastërtia, po hipokrizia:
E hipokrizia është mëkati që Hyji e dënon me forcë të veçantë në Bibël, sepse e degradon Zotin, e vë në vend të dytë, duke i dhënë vendin e parë krijesave. Të tregosh më shumë kujdes për dukjen, sesa për zemrën – tha atë Kantalamesa – do të thotë t’i japësh më shumë rëndësi njeriut sesa Zotit. Hipokrizia s’është gjë tjetër, veçse mungesë feje, por edhe mungesë dashurie ndaj të afërmit, sepse ka për qëllim t’i katandisë të gjithë në admirues. Krishti e dënon hipokrizinë pa të drejtë apeli: hipokritët e kanë marrë tashmë shpërblimin e tyre, e ky shpërblim është i rremë edhe në planin njerëzor, sepse lavdia ikën nga ai që e kërkon e ndjek atë që i ikën.
“Nga kjo duket qartë se personifikimi i pastërtisë – një i vetëm mbi faqe të tokës – është Ai vetë: është Jezusi. Në të vërtetë, lumnitë janë autoportreti i Jezusit, ashtu si ishte ishte e si u propozon edhe të tjerëve të jenë. Deri kundërshtarët detyrohen të pranojnë se Krishti është simboli i njeriut me zemër të pasërt”.
Hipokrizia sot - vijoi predikatari – është vesi më i përhapur e që rrëfehet më pak. Kjo prirje për të qenë hipokritë është shtuar në mënyrë të jashtzakonshme në kulturën ku sundojnë mas-mediat, gjë që e bën të vështirë dallimin ndërmjet ngjarjeve reale e mënyrës së paraqitjes së tyre. Ta dëgjojmë Atë Kantalamesën:
“Fakti i ri e shqetësues i sotëm është se bëhen përpjekje për ta zhdukur këtë hendek, duke e shndërruar jetën në shfaqje. E nuk po flasim për reality show që duket se tërbohen në të gjithë televizionet e botës, duke krijuar një mendësi, një stil jete, por për lindjen e prirjes që kërkon përkimin e jetës me shfaqjen”.
Besimtarët – theksoi me forcë predikatari - nuk duhet t’ia lejojnë vetes të bien pre e hipokrizisë, nga e cila burojnë prirje, që i shndërrojë njerëzit në surretër.







All the contents on this site are copyrighted ©.