2007-03-09 17:07:53

Lajme nga bota:Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka mbërritur sot në Brazil


(09.03.07 RV)Presidenti amerikan Xhorxh Bush ka mbërritur sot në Brazil, ku fillon edhe turneu i tij për të promovuar demokracinë dhe miqësinë ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Amerikës Latine. Para mbërritjes në kryeqytetin Sao Paolo, policia ka shpërndarë me gaz lotsjellës, demonstruesit që kanë kundërshtuar vizitën. Pas Brazilit, Bush do të shkojë në Uruguaj, Kolumbi, Guatemalë dhe Meksikë.
Presidenti amerikan largohet nga Uashingtoni, menjëherë pas propozimit të demokratëve për tërheqjen e trupave nga Iraku, brenda marsit 2008. Nga Shtëpia e Bardhë njoftuan se Bush do të përdorë veton kundër çdo propozimi të tillë.


Greko-qipriotët rrëzuan murin që ndan kryeqytetin Nikozia më dysh, në pjesën greke dhe në atë turke. Punimet filluan mbrëmë, por akoma popullsia nuk është e lirë të kalojë nga njëra anë në tjetrën. Qeveria ka kërkuar që Turqia të tërheqë më parë trupat e saj ushtarake nga pjesa turke, e cila nuk njihet nga Bashkësia ndërkombëtare.


Krerët e Bashkimit Evropian, të mbledhur në Bruksel ku përfundoi samiti i pranverës, arritën një “marrëveshje politike” mbi një plan veprimi për të luftuar ndryshimet e klimës, të shkaktuara nga njeriu. 27 vendet anëtare u zotuan se deri në vitin 2020 do të reduktojnë me 20 përqind emetimin e dioksidit të karbonit. Mbeten vështirësitë e shndërrimit të kësaj marrëveshjeje në legjislacion evropian, të detyrueshëm për të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.