2007-03-08 16:04:59

Besimtarët duhet ta ndihmojnë me shpirt e bamirësi veprimtarinë e Kishës: kjo është porosia e Papës në audiencën e sotme me Rrethin e Shën Pjetrit.


(08.03.2007 RV)RealAudioMP3 Të gjithë besimtarët duhet ta mbështesin edhe materialisht veprimtarinë e ungjillëzimit - porositi sot Benedikti XVI, duke pritur në Vatikan anëtarët e Rrethit të Shën Pjetrit për dorëzimin e lëmoshës, që njihet me emrin “Oboli i Shën Pjetrit”. Delegacioni kryesohej nga kryetari, don Leopoldo dei Duki Torlonia. Në fjalimin e rastit Papa vuri theksin mbi rëndësisnë e bamirësisë ndaj nevojtarëve, në mënyrë të posaçme gjatë kohës së Krezhmëve.
Në kohën e Krezhmëve jemi të thirrur të lutemi, të agjërojmë, por edhe të tregohemi më të vëmendshëm kundrejt vëllezërve, posaçërisht ndaj atyre që kalojnë çaste të vështira e t’i ndihmojmë konkretisht me gjeste e veprimtari materiale e shpirtërore. Këtë nënvizoi Papa, i cili ripohoi rëndësinë e nismave shekullare, siç është Oboli apo Lëmosha e Shën Pjetrit:
“Praktika e lashtë e Obolit të Shën Pjetrit, që në një farë mënyre vërehet edhe në bashkësitë e para të krishtera, buron nga vetëdija se çdo besimtar duhet ta mbështesë edhe materialisht veprën e ungjillëzimit e, njëkohësisht, duhet t’i ndihmojë bujarisht të varfërit e nevojtarët, duke kujtuar fjalët e Jezusit: ‘Atë që bëni për më të voglin e këtyre vëllezëve të mi, ma keni bërë mua”.
E zhvilluar në rrjedhë shekujsh – vijoi Papa – kjo praktikë kishtare iu përshtat kërkesave të ndryshme të kohërave. Në historinë e Kishës – shtoi Ati i Shenjtë – ka pasur çaste në të cilat mbështetja ekonomike që të krishterët i kanë siguruar Pasardhësit të Shën Pjetrit, ka qenë shumë domethënëse, siç ka ndodhur në kohët e të Lumit Piu IX: “Edhe në kohën tonë Kisha vijon ta përhapë Ungjillin e të bashkëpunojë për ndërtimin e një shoqërie më vëllazërore e më solidare. E pikërisht falë edhe Obolit të Shën Pjetrit, mundësohet përmbushja e misionit të ungjillëzimit e të përparimit njerëzor”.







All the contents on this site are copyrighted ©.