Sot Kisha katolike përkujtoi shenjtoret Perpetua e Feliçita, martire.
(07.03.2007 RV)Të arrestuara, në sa ishin ende katekumene, Perpetua, nënë njëzetedyvjeçare
e një ferishteje, ende për gjinit dhe skllavja e saj, Feliçita, edhe ajo nënë e re
e një foshnjeje, lindur në qelitë e burgut, u pagëzuan me ujin e sakramentit pak para
se të pagëzoheshin me gjakun e tyre, derdhur për t’i qëndruar besnike Krishtit. U
munduan t’i bindnin për të hequr dorë nga feja e krishterë: armiqtë e Zotit - me tortura
e me vdekje; familjarët - me lutje e me lot. Për të shpëtuar jetën mjaftonte vetëm
një fjalë, vetëm një gjest: t’i thonin “jo” Krishtit e të gjunjëzoheshin para idhujve.
Dy Martiret - siç na kujtojnë Veprat e Martirëve, shkruar nga Tertuliani,
shkuan krah për krah drejt vdekjes, ashtu siç shkohet në një festë. Ishte data 7 mars
e vitit 203. Ato i priste një shfaqje e tmerrshme, tragjike, organizuar në amfiteatër,
ku personazhet ishin dy nënat e reja e bishat e egra. Vdekje spektakolare. Perpetua
e Feliçita hynin në Kishë me martirizmin, që fillonte në arenë, ku bishat rrëzonin
përdhé të dënuarit me vdekje. Perpetua pa Feliçitën duke rënë, e larë në gjak, nën
goditjen e brirëve të buallit të egër. U përpoq ta mbështesë, po brirët nisën vallen
e vet mbi veshjet e saj prej matrone e mbi trupin e saj të brishtë. Qëndrimi i nënës
së re tronditi edhe turmën armike, duke krijuar çaste emocioni e mëshire. Por pastaj,
e dehur nga gjaku i martireve, turma rifilloi ulurimen, kërkoi vdekjen e dy nënave
të përqafuara, shndërruar në një grumbull mishi të përgjakur, që përpëlitej për tmerr.
Atëherë një ushtar me shpatë zhveshur iu afrua martireve: dy koka u rrokullisen në
arenë, për të ngopur etjen e turmës për gjak. Kjo, që po tregojmë, ngjau
në kohën e sundimit të Septim Severit, në Kartagjenë, në veri të Afrikës. Nuk është
përrallë, as emfazë: është një e vërtetë historike, që flet vetë për madhështinë e
fesë së krishterë. Dy nënat e shenjta u martirizuan bashkë, bashkë u lartuan në
nderimet e lterit e po bashkë kremtohen sot nga Kisha. Emri Feliçita vjen nga
latinishtja e do të thotë “e kënaqur, e lumtur”; në sa Perpetua - gjithnjë nga latinishtja
- do të thotë “me fe të patundur”.Të dyja shenjtoret kanë si simbol palmën e martirizimit.