Kostandin Kristoforidhi në 180-vjetorin e vdekjes.
(07.03.2007 RV)Më 7 mars 1827 ndërroi
jetë biblisti, gjuhëtari, leksikografi dhe atdhetari i njohur, Kostandin Kristoforidhi,
vepra e të cilit shërbeu si një nga gurët e themelit për lavrimin e gjuhës shqipe.
Ashtu si ndër vendet më të zhvilluara të botës historia e gjuhës fillon me përkthimin
e Shkrimit Shenjt, ashtu edhe dokumentet e para të shqipes së shkruar e të lavruar
lidhen në mënyrë të pandashme me Shkrimin Shenjt, duke nisur që nga Formula e Pagëzimit
- dokumenti i parë, te Meshari i Buzukut - libri i parë e tek përkthimet madhore e
Kritoforidhit, për të mos vijuar me kohët tona. Kristoforidhi lindi e vdiq
në Elbasan. Mësimet e para i kreu në shkollën greke të vendlindjes, të mesmet në
gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës. Këtu u njoh me albanologun e famshëm gjerman,
Hahn, të cilit i mësoi shqipen. Duke shëtitur në vise të ndryshme të Shqipërisë përkrah
Hahnit, i dha atij një lëndë të begatë gjuhësore, por u pajis edhe vetë me njohuri
të thella për gjuhën shqipe. Më vonë vijoi studimet në Maltë; u kthye sërisht në Shqipëri
e punoi si mësues në Tiranë, për të vijuar përsëri studimet, këtë radhë në Angli.
Pas kryerjes së studimeve ushtroi profesionin e mësuesit në një shkollë të Tunizit,
ku edhe u martua me një greke. Në këtë kohë iu vu përkthimit të "Dhjatës së Re" apo
"Besëlidhjes së Re", të cilën e botoi më 1866 në Kostantinopojë me titull: "Katër
ungjillat dhe punët e apostujve". Libri pati shumë jehonë në Shqipëri dhe në kolonitë
shqiptare, ku të krishterët kishin aq nevojë për ta kremtuar liturgjinë në gjuhën
shqipe. Vijoi punën me përkthimin në dy dialekte, gegërisht e toskërisht, të disa
pjesëve të "Dhjatës së Vjetër" apo "Besëlidhjes së Vjetër", të cilën e botoi më 1879.
Më pas botoi një "Gramatikë" dhe përgatiti "Fjalorin shqip-greqisht", vepër postume.
Me këto vepra, të cilave u shtohen "Abetaret" e para shqipe pas Veqilharxhit, tregimi
"Gjahu i Malcorëve" dhe vjersha e parë shqipe për fëmijë, ai nisi të quhej nga bashkëkohasit
"babai i gjuhës shqipe". Puna e Kristoforidhit për përkthimin e Shkrimit Shenjt mbetet
një nga kontributet kryesore të tij për fenë e atdheun. Gegë vetë, në përkthimin e
Shkrimit Shenjt ai i përdori të dy dialektet, duke derdhur kështu në një lum ujëplotë,
dy përrenjtë e fuqishëm dialektorë të gjuhës shqipe.