2007-03-05 18:01:14

Në Kuvend të Shqipërisë videoja greke me përmbajtje antishqiptare.


(05.03.07 RV)RealAudioMP3 Kuvendi i Shqipërisë diskutoi sot përmbajtjen e videos greke të publikuar në internet, ku këndohen këngë antishqiptare e antiturke. Ndërkaq, pas reagimit të Ministrisë së Brendshme, Ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj zbuti tonin e debatit, duke vlerësuar reagimin e palës greke. Ministria e Mbrojtjes e Athinës e ka dënuar aktin, por është rezervuar të verifikojë vërtetësinë e videos. “Nuk është çasti për të nxitur urrejtje”, tha Mustafaj per mediat, përderisa Greqia e ka mbështetur dhe vazhdon të mbeshtesë integrimin e Shqipërisë në strukturat Euro-Atlantike.
Ka reaguar më ashpër Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë në Greqi, e cila ka theksuar edhe se do të dërgojë një notë proteste në adresë të autoriteteve greke. Edhe në Shqipëri, e pikërisht në Fier e në Burrel, njerëz të zemëruar kanë djegur në shesh flamurin grek.
DEKLARATE NE KUVEND E MINISTRIT MUSTAFAJ
TIRANE, 5 Mars/2007 ATSH-Maela Marini/.- Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, deklaroi sot pasdite (e Hënë), në Kuvend, se "ne synojmë që në veprimin diplomatik në politikën tonë të jashtme, të jemi europianë, konstruktivë, të synojmë mirëkuptimin dhe jo përplasjen".
Në seancën plenare të pasdites, Kuvendi i Shqipërisë diskutoi mbi videon në të cilën paraqiten ushtarë grekë që stërviteshin, duke kënduar këngë antishqiptare.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast, Ministri i Punëve të Jashtme, Besnik Mustafaj, vlerësoi se "tema që u prek në këtë seancë meriton pa asnjë dyshim vëmendje".
Duke u ndalur në disa aspekte të mënyrës se si u trajtuan këto çështje nga deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, Mustafaj theksoi se "është një episod absolutisht i shëmtuar, i dëmshëm dhe i rrezikshëm nëse do të kishte përmasa të përgjithshme".
Në këtë drejtim, zoti Mustafaj vuri në dukje se "askush prej nesh nuk ka mendim më të nuancuar që episode të tilla janë shumë të rrezikshme dhe askush prej nesh në këtë pikë nuk ka divergjenca, se ndaj tyre duhet mbajtur një qëndrim i prerë, i qartë dhe një qëndrim që t'i shërbejë të kundërtës të asaj që paraqitet dhe thuhet në këtë episod".
"A mundemi ne që të ndërtojmë më shumë se sa meriton një segment i izoluar, apo a mundemi ne të ndërtojmë një punë dhe një veprim diplomatik, i cili do të ishte kundër vullnetit të përbashkët të dy qeverive për miqësi. Pra nëse bëhet një akt që drejtohet njëherësh kundër vullnetit të përbashkët të dy qeverive, atëhere ne duhet ta perceptojmë dhe të reagojmë ndaj tij si i tillë, si një akt që drejtohet kundër të dy qeverive", tha zoti Mustafaj.
Në këtë kuadër, Ministri i Jashtëm u shpreh shumë i inkurajuar dhe i kënaqur nga fakti se "asnjëherë në historinë e 15 viteve të fundit, akte apo sjellje që i kanë rënë ndesh ndjenjave të miqësisë mes dy popujve tanë, nuk kanë gjetur në shtypin grek një mosaprovim, një kritikë kaq të rreptë sa ky kësaj here".
"Pra ne kësaj here jo vetëm në Shqipëri, por edhe në opinionin publik grek, edhe në shtypin grek, në mënyrë të veçantë në mediat elektronike, po ashtu kemi një mbështetje të gjerë të vullnetit politik që kanë të dyja qeveritë për të ndërtuar marrëdhënie të qëndrueshme afatgjata në shërbim të të dyja vendeve", vlerësoi Ministri Mustafaj.
Gjithashtu Ministri Mustafaj vuri në dukje se "përveç deklarimit që ka pasur Zv/ministri i Mbrojtjes, kemi patur gjithë vëmendjen dhe kemi kryer të gjitha veprimet diplomatike që bëhen në një rast të tillë".
Zoti Mustafaj informoi se "Ambasadori ynë në Athinë ka patur konktaktet e tij të qëllimshme për këtë temë me Ministrinë e Jashtme greke, ashtu sikurse edhe i ngarkuari me punë (meqënëse ambasadori grek në Tiranë nuk është këto ditë) është thirrur në Ministrinë e Jashtme dhe i janë bërë komentet e nevojshme".
"Në asnjë mënyrë tjetër unë mendoj se nuk na takonte, dhe nuk do të ishte konstruktive të vepronim, pasi pavarësisht nga provokimet, nga ndërhyrjet anësore, sporadike, remineshenca të së kaluarës apo edhe me përmbajtje tjetër, ne synojmë që me veprimin tonë diplomatik në politikën tonë të jashtme, të jemi europianë, konstruktivë, të synojmë mirëkuptimin dhe jo të synojmë përplasjen, ballafaqimin. Gjëja më e thjeshtë do të ishte të ndërtonim një ballafaqim", tha zoti Mustafaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.