2007-03-05 18:01:47

Lajme nga bota.


(05.03.07 RV)Zhvendoset në Pallatin e Qelqit të OKB-së, puna për hartimin e një rezolute të re të Këshillit të Sigurimit, e cila duhet të ashpërsojë sanksionet kundër Iranit. Ndërkaq, ministri i jashtëm i Teheranit njofton se akoma është në pritje të një kërkese zyrtare të SHBA-ve për rifillimin e bisedimeve dypalëshe, pas 27 vjetëve të ndërprerjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet dy shteteve.

Shtyhet sërish formimi i qeverisë palestinese të unitetit kombëtar. Presidenti i Autoritetit palestinez, Abu Mazen dhe kryeminsitri Ismail Hanijeh nuk u morën vesh mbrëmë për këtë, megjithëse takimi zgjati katër orë. Kryeministri deklaroi sot se qeveria nuk do të formohet para fundit të javës që vjen.


Presidenti i Afganistanit, Hamid Karzai dënoi sot vrasjen e 10 civilëve gjatë përleshjeve ndërmjet trupave të Shteteve të Bashkuara dhe kryengritësve afër qytetit lindor, Xhalalabad. Ndërkaq, sot afganët bëjnë të ditur edhe vrasjen e 9 civilëve të tjerë. Forcat ndërkombëtare kanë deklaruar se nuk kanë gisht në këtë vrasje të re. Nga ana tjetër, forcat britanike janë gati të përdorin një të ashtuquajtur “bombë inteligjente” kundër talebanëve, ndërsa Pakistani kërcënon se do të përgjigjet menjëherë, nëse ushtarë të huaj do të hyjnë në territorin e vet, edhe nëse janë në ndjekje të terroristëve.


Së paku 26 vetë janë vrarë e 54 janë plagosur, pas shpërthimit të një autobombe në një treg në qendër të Bagdadit. Ndërkaq, Ministria e Brendshme e Irakut ka shpallur se ka arrestuar zëvendës liderin e grupit “Shteti Islamik në Irak”, që është një grupim sunit militant i lidhur me al-Kaidën.







All the contents on this site are copyrighted ©.