Kryeipeshkvi i ri i Varshavës, imzot Kazhimirzh Nëq thekson: Nuk mund të shlyhet e
kaluara heroike e Kishës polake.
(05.03.2007 RV)Polonia priti me gëzim e lehtësim shpirtëror emërimin e kryeipeshkvit
të ri të Varshavës, imzot Kazhimirzh Nëq, deri tani ipeshkëv i Kozhelin-Kolobzhok.
Papa e thirri të zërë vendin e Stanisalv Vielgush, që dha dorëheqjen në janarin e
kaluar, pasi pranoi se kishte bashkëpunuar me shërbimet e fshehta të regjimit të kaluar
komunist. Ja si shprehet kryeipeshkvi i ri, imzot Nëq, në mikrofonin e programit
polak të radios sonë:“Që kur arrita në Kozhelin, isha i bindur se do të më
duhej të ballafaqohesha me gjithë të kaluarën, si timen, ashtu edhe të meshtarëve
të tjerë e të mbarë Kishës, me bindjen se e kaluara e Kishës polake është heroike.
Kjo e vërtetë nuk mund të shlyhet, edhe pse në kohët e terrorit komunist, të kontrollit
të tmerrshëm policor, të shkatërrimit të njeriut, realizuar në mënyra nga më të ndryshmet,
pati edhe disa meshtarë që nuk ia dolën mbanesh të qëndrojnë në lartësinë e sfidës,
e cila kërkonte heroizëm. Kështu, për shkak të ligështisë njerëzore, disa nisën të
bashkëpunojnë ose e pësuan për shkak të bashkëpunimit. Ky është një mësim që duhet
nxënë me qetësi. Për mua, verifikimi historik nga ana e Komisionit Kishtar ose Institutit
të Kujtesës Kombëtare, mbi bazën e publikimeve në mjetet e komunikimit, nuk ka çuar
as nuk do të çojë në zgjidhjen e problemit. Nuk mund të nxitohemi. Duhet vepruar në
mënyrë ungjillore. Përndryshe do të kalojmë nga një emër tek tjetri, nga një dosje
tek tjetra, e kjo do të jetë shumë negative për Kishën. Kam frikë se do të mendohet
që problemi më i rëndësishëm për Kishën është të pastrohet nga e kaluara e saj. Ndërsa
unë mendoj se situata duhet kapërcyer me qetësi, duke vijuar punën tonë, misionin
tonë në Kishë, që është të kumtojmë Ungjillin, t’i ftojmë besimtarët të ecin në rrugën
e shenjtërisë përmes sakramenteve, ta dëshmojmë konkretisht dashurinë e krishterë.
Asgjë më tepër…