2007-03-03 18:24:06

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar.


(04.03.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e dytë të Krezhmëve.
Nesër, e hënë, Kisha do të kremtojë Shën Luçin I Papë, Shën Adrianin martir dhe Shën Gjonin e kryqit, meshtar françeskan. Na kujtojnë se dashuria e mëshira shkojnë krah për krah. Në se nuk e kuptojmë këtë, jo vetëm që nuk mund ta quajmë veten bij të Hyjit, por rrezikohemi të meritojmë dënimin e përjetshëm. Prej këndej, të lutemi me Psalmistin: “Na fal, o Zot, në mëshirën tënde!”.
Liturgjia e festës së Shën Rozës nga Viterbo, virgjër françeskane dhe Shën Koletës Boilè, themeluese e klariseve të varfëra, të marten e ardhshme, na kujton sa i madh është ndryshimi ndërmjet asaj që themi e asaj që bëjmë. Duke pasur për model Atin qiellor e për mësues Krishtin, të mos harrojmë kurrë se duhet të sillemi si shërbëtori para zotërisë e si nxënësi para mësuesit.
Shenjtoret Perpetua e Feliçita, që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë se mbretëria e Hyjit ndryshon krejtësisht nga mbretëritë e kësaj bote. Kush dëshiron të hyjë në të, duhet të ecë në udhën e shërbimit e të pijë kelkun e mundimeve.
Të enjten e ardhshme do të kremtohet Shën Gjoni i Zotit, themelues i Kongregatës Fatebenefratelli, pajtor i të sëmurëve e i punonjësve të spitaleve. Liturgjia e festës së tij na kujton se shijimi i të mirave të kësaj bote jo vetëm që nuk na i siguron të mirat e jetës së amshuar, por përkundrazi, na rrezikon t’i humbasim. Fati në jetën tjetër varet nga mënyra e përdorimit të të mirave të kësaj bote.
Shën Françeska romake, themeluese e Oblateve të Tor’ de Speki, dyzet Martirët e Sebastes dhe Shën Katerina e Bolonjës, që do të kremtohen të premten, na kujtojnë se mbretëria e Zotit realizohet në mënyra të ndryshme. Në se e humbasim, faji nuk është i Zotit, por yni, që s’ ditëm ta fitojmë.Shën Simpliçi, papë dhe Shën Gjoni Ogjilviè, meshtar jezuit e martir, që do të festohen të shtunën, na kujtojnë se vëmendja e Jezusit për mëkatarët e shkandullon njeriun, i cili e mba veten të drejtë. E prandaj shembëlltyra e Djalit Plëngprishës nuk e vë theksin mbi këtë qëndrim, por mbi gëzimin për shpëtimin e birit të humbur e të rikthyer tek ati.







All the contents on this site are copyrighted ©.