2007-03-03 18:22:50

Në Vatikan përfunduan ushtrimet shpirtërore të Kuries Romake në praninë e Atit të Shenjtë.


(04.03.2007 RV)Sivjet meditimet me temë “Kërkoni çka është lart, ku gjendet Krishti ndenjur në fron në të djathtën e Hyjit, e jo çka është mbi tokë” u propozuan nga kardinali Gjakomo Bifi, kryeipeshkëv nderi i Bolonjës.
Ushtrimet shpirtërore, që filluan të dielën e kaluar në Kapelën “Nëna e Shëlbuesit”, me kremtimin e Lutjeve të Mbrëmjes, pasuar nga adhurimi i Eukaristisë, përfunduan dje me kremtimin e Lutjeve të mëngjesit dhe me reflektimin përfundimtar, pas të cilit Benedikti XVI e falënderoi predikatarin për anagogjinë, apo ftesën për t’i lartuar sytë nga qielli, që u bëri të gjithëve gjatë kësaj jave.
Papa kujtoi se në Meshën shenjte, para lutjes eukaristike, besimtarët i përgjigjen çdo ditë ftesës ‘T’i lartojmë zemrat” me fjalët “i kemi te Zoti’. E kam frikë – vijoi Papa - se kjo përgjigje shpesh herë është më tepër rituale sesa ekzistenciale. Po ju – vijoi Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar kardinalit Bifi – gjatë kësaj jave na mësuat ta lartojmë vërtetë zemrën tonë, të ngrihemi lart, drejt së padukshmes, drejt realitetit të vërtetë. E na dhatë edhe kyçin për t’iu përgjigjur çdo ditë sfidave të këtij realiteti.
Më pas Benedikti XVI pohoi se gjatë konferencës së parë, në sa gjunjëzohej, pati vegimin e Krishtit të ngjallur, të rrethuar nga engjëjt në fluturim. Mendova – vijoi Papa - se këta engjëj mund të fluturojnë sepse nuk i tërheq forca e gravitetit të gjërave materiale të tokës, por forca e gravitetit të dashurisë së Krishtit. Edhe ne - tha me bindje Benedikti XVI – mund të fluturojmë në se, duke dalë nga graviteti i gjërave materiale, hyjmë në gravitetin e dashurisë së Krishtit të ngjallur. E kemi hyrë këto ditë – pohoi Ati i Shenjtë - duke kujtuar ndikimin e ushtrimeve shpirtërore, gjatë të cilave predikatari bëri diagnozën e saktë të kohës sonë, në dukje shumë larg nga feja e nga Krishti, por plot pikpyetje, plot me dëshirë për të gjetur të vërtetën në këtë botë, ku e vetmja përgjigje e vërtetë është Krishti, i gjithëpranishëm pikërisht në kohën tonë.
Kështu ju na ndihmuat ta ndjekim më me guxim Krishtin e ta duam më shumë Kishën – tha Papa e në përfundim e falënderoi përsëri predikatarin për realizmin, humorizmin, konkretësinë dhe teologjinë e tij të guximshme, që do t’i shoqërojë të pranishmit jo vetëm gjatë javëve të ardhshme. Kujtojmë se gjatë këtyre ditëve u ndërprenë të gjitha audiencat papnore, duke përfshirë edhe takimin javor me besimtarët të mërkurën, 28 shkurt, të cilat rifillojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.