2007-03-03 18:24:26

61-vjetori i pushkatimit të pesë martirëve të Kishës katolike në Shqipëri: At D.Dajani, At G. Fausti etj


(04.03.2007 RV)Është një ngjarje e madhe, që i dhuroi Kishës katolike pesë kandidatë për nderimet e lterit, çështja e beatifikimit të të cilëve tashmë ka filluar.
Janë: Françeskani atë Gjon Shllaku, që u vra së bashku me jezuitët atë Gjon Fausti e atë Daniel Dajani si dhe me seminaristët Mark Çuni e Qerim Sadiku në fillimet e masakrës komuniste kundër klerit katolik. U akuzuan për “tentativë arratisje” dhe për formimin e Partisë Demokristiane. Që të pestëve shteti shqiptar u ka dhënë dekoratën “Martir i Demokracisë”.
Po i kujtojmë sot përmes disa fragmenteve të dëshmisë së Atë Daniel Gjeçajt, i pranishëm në ngjarjet:
****
Dikur, mbasi tragji-komedia ishte pregatitë në tana hollësitë, u hap gjyqi. ..
(Pater Gjoni)… kryesonte viktimat. Mbas tij vijshin dy meshtarët jezuitë, seminaristat e mandej civilat tjerë. Proçesioni i dekës përcillej, përposë se prej policisë së mbrojtjes, edhe prej grupeve të organizueme nga rinia komuniste, të cilët gjatë rrugës bërtshin e çirreshin si të dejun në kor: "Plumb ballit! Plumb ballit!" dhe "Vdekje klerit! Vdekje klerit!"….
Në salën e improvizueme të gjyqit i pritëte tmera e asaj kohe, prokurori ushtarak Aranit Çela, i famshëm për mizori… Një publik i përzgjedhun, e shumta anëtarë partie, mbushte salën. Porsá të paditunt vejshin kambën në derë të salës, altoparlantat, mbrendë e jashtë, së bashku me një pjesë të publikut, intonojshin një kangë satirike, për të ngacmue hakmarrjen ndaj klerit. Niste, mandej, seanca me pyetje të vrullshme nga të tanë anëtarët e gjyqit, njeni mbas tjetrit, pa asnjë ndërpremje, për të mos i lânë rend të paditunve me u përgjegjë e as me u mbrojtë. Të pandehunit s'i mbetej tjetër, veç pohimit të fajeve të pabâme, ose heshtimit. E vërteta kishte si pasojë tortura të reja e hetime pa fund; heshtimi, njëlloj, torturat e vdekjen. Ata ishin të paradënuem.
Akuzat, të hartueme nga nalt, e paraqitshin pater Gjonin porsi ideologun, organizatorin, udhëhjekësin e të ashtuquejtunit "Bashkimi shqiptár". Mbas tij, si ndihmës, vijshin etënt jezuitë, seminaristat e besimtarët tjerë. Pater Shllaku, simbas akuzës, drejtonte "Dorën e zezë", që do të kryente atentate në të gjithë Shqipninë. Ky mbante lidhje të vazhdueshme me Vatikan me anën e pater Faustit, ndërsá në vend, lidhej me çeta antikomuniste të arratisuna. Mbante ndërlidhje anmiqësore me shtetet kapitaliste, me anglezë e amerikanë.
Ishin këto disá ndër akuza, të cilat martirët tonë i paraqitshin fajtorë, që meritojshin dënimin me dekë, jo veç porsi kundërshtár rregjimi, por edhe si kriminelë e njerëz të damshëm për popullin e për Kombin.
Kur advokati mbrojtës muer fjalën për me qitë poshtë akuzat, të cilat ai i ndiente për të parën herë në salë, publiku e trupi gjykues shpërthyen në fishkllima e brima: "Poshtë tradhtarët e bashkëpunëtorët e tyne!" …
Dënimi me dekë - si e thamë ma sipër- ishte i premë ç'me kohë. Nuk vinte as nga prokurori, as nga fishkllimat e brimat e njerëzve të indoktrinuem në sallë. Dënimi për njerëzit ma të mirë të Shkodrës vinte prej Tirane. Kështu Shkodrës i pritej kryet!
Dënohen për dekë Pater Shllaku, Pater Dajani e Pater Fausti, seminaristat Mark Çuni e Gjergj Bici, mandej civilat Qerim Sadiku e Gjon Vata e disa të tjerë. Sentenca merrte fund më 22 fruer 1946.
Ishte agimi i përgjakshëm i 4 marcit 1946. S'ishte e para herë që shi në orët e para të ditës, në të zbardhun të dritës, në qytetin e Shkodrës ndiheshin të shtîme pushkësh me ushtimë të xânun, si ato që bien në mish njeri. E 'i mend, komunistat e kishin doke me e zbatue dënimin me pushkatim shi atëherë, kur shumica e banorëve ishte endè në të shtrueme.
Mbas pushkatimit, zakonisht, trupënt e të dekunve, ashtu njeni mbi tjetrin, lêheshin, si të ishin thasë plehi, në dispozicion të qytetarëve për tanë ditën: pak kush vinte për me shfrye mëninë; shumica merrte mënderë e trishtim.
Në muzg të natës, mandej, ashtu grumbull si ishin, ngreheshin rrëshanë dhe hidheshin përzietas në një gropë të përbashkët. Mbuloheshin me kujdes, për mos me lânë gjurmë as shenj vorri. Këtë fat patën edhe martirët tanë.
… Udhëtimi në kamionin e dekës, prej burgut në Rrëmaj, pranë qytetit, ishte relativisht i shkurtë. Të dënuemët shkuen tue këndue psalmet e shtegtarëve të popullit të zgjedhun në drejtim të Jeruzalemit. Shtegtojshin drejt Jeruzalemit qiellor. Shkuen tue i dhânë zemër ata dom Tomë Lacës, që ishte ngarkue me i zemrue. Meshtari derdhej në lot!
Po atyne nuk u dridhej buza as s'u ligështohej zemra. Udhëtojshin për amshim, pritshin me padurim dekën, që i çonte në të ngjallun.
Të rreshtuem njëni brí tjetrit, me pater Gjonin në mes, të lidhun dorë për dorë, si të dojshin me formue një kunorë, thurë me zhguna e veladona, me rregulltarë e besimtarë, mbasi një ka një puthën Kryqin e shëlbimit, shqiptuen një zâni e një zemre fjalën e fundit të jetës e porosinë e mbrame: "Rrnoftë Krishti Mbret! Rrnoftë Kisha katolike!".
Batarja e trupit ekzekutues, plumbat e plotonit me hyll të kuq, ia këputën zanin.
U rrëxuen për dhé, tue e zbutë rishtas me gjak atë tokë, që me gjak asht lagë tash sa shekuj e me gjak vijon të ushqehet edhe sot.
Gjaku i tyne shkroi edhe një rresht në analet e përgjakshme të dymijë vjetëve historie të krishtenimit në Shqipní.
Atë ditë binte shí si donte Zoti vetë. Në baltë e gjak, kush desht me pá, mujti me dallue kjartë më një grumbull të dekunsh frat e prift, jezuit e të krishtênë: ishte Kisha martire e Shqipnísë.







All the contents on this site are copyrighted ©.