2007-03-01 18:03:22

Kardinali Bertone flet për Operacionin ‘Mato Groso’, që ekspozon në Romë punimet më të mira të artizanatit peruvian.


(01.03.2007 RV)RealAudioMP3 Është fjala për ekspozitën me qëllime solidariteti, titulluar “Bërë me dorë. Përmbi Andet – Ekspozitë mobiljesh e orendish, realizuar nga artistë peruvianë”, që u përurua dje pranë bazilikës së Shën Ambrozit e të Shën Karlit në Romë. Organizuar nga Operacioni ‘Mato Groso’ me ndihmën, ndërmjet të tjerëve, edhe të Vikariatit, të Komunës e Provincës së Romës, ekspozita përmbledh punimet më të mira, realizuar nga fshatarët e Perusë që, falë impenjimit e përkushtimit, janë bërë artizanë gjenialë, mobiljet e të cilëve zbukurojnë selitë e nunciaturave e mjedise të tjera prestigjoze. Kujtojmë se ‘Mato Groso’, që në gjuhën vendase do të thotë ‘Pylli i Madh’, është një nga shtetet e konfederatës peruviane. Themeluesi i Operacionit është saleziani italian, atë Ugo De Çensi, në sa një salezian tjetër i shquar vizitoi në korrik të vitit 2005 tokat e misionit mes Andeve, ku aktivizohet kjo organizatë e solidaritetit: është fjala për kardinalin Tarçizio Bertone, sekretar i Shtetit të Vatikanit, që e kujton kështu, në mikrofonin e radios sonë, shtegtimin mes Andeve:
“Pata një përvojë të jashtzakonshme, të paharrueshme nga takimi me të gjithë anëtarët e Operacionit ‘Mato Groso’, me vullnetarët, me atë mori të rinjsh, me popullsinë andine. Më kënaqi prania e këtyre njerëzve që kishin arritur të shijonin njëherësh gëzimin e të jetuarit, dashurinë për të afërmin, punën dhe frymën e lutjes”. Duke ecur në gjurmët e Shën Gjon Boskut, të rinjtë e grupit romak të Operacionit ‘Mato Groso’, shpërvolën mëngët dhe realizuan ekspozitën, që do të jetë e hapur deri më 18 mars. Por ku qëndron, sipas mendimit të kardinalit Bertone, aktualiteti i mesazhit të dom Boskut?
“Përvoja e dom Ugo de Çensit dhe e gjithë bashkëpunëtorëve të tij në Operacionin ‘Mato Grosso’ tregon se shpirti i dom Boskut – projekti edukativ, projekti shpirtëror i dom Boskut, vlen për të gjitha kontinentetet, për të gjitha vendet, për të gjitha etnitë, për të gjithë popujt”.Kujtojmë se të hollat që do të fitohen nga ekspozita do të kthehen në Peru e do të përdoren për të ndihmuar artizanët e rinj e, sidomos, të varfërit.







All the contents on this site are copyrighted ©.