2007-02-28 18:35:26

Të burgosur fantazmë: denoncon Hjumën Rajts Uoç.


(28.02.07 RV)Të burgosur fantazmë: 38 burra dhe një grua janë kapur nga CIA amerikane gjatë këtyre viteve të luftës kundër terrorizmit dhe janë transferuar në burgje sekrete. Me një letër drejtuar presidentit amerikan, Xhorxh Bush, organizata Hjumën Rajts Uoç, e cila punon për respektimin e të drejtave të njeriut, zbulon identitetin e këtij grupi dhe kërkon që të dalë në dritë e vërteta për të gjitha personat e kapura dhe të mbajtura nga CIA, që nga viti 2001 e deri më sot. Organizata e ka hartuar listën duke pyetur ish-të burgosur, autoritete lokale, avokatë dhe familjarë e duke kontrolluar lajmet në vendet ku janë kapur këta persona. “Praktika e zhdukjes së njerëzve, duke i mbajtur në burgje sekrete, pa asnjë proces ligjor, është kundër së drejtës ndërkombëtare. Nëse këta persona janë përfshirë në aktivitete terroriste duhen akuzuar dhe çuar në gjyq, jo zhdukur”, deklaroi Xhoan Mariner, një funksionare e Hjumën Rajts Uoç.







All the contents on this site are copyrighted ©.