2007-02-28 17:38:05

Përkujtojmë sot Shën Osvaldin e Vorçesterit.


(28.02.2007 RV)I lindur nga prindër danezë, u bë murg benediktin në Fleiri të Francës e, në vitin 959, prift në Angli. Duke ndjekur këshillin e Shën Dunstanit, me të cilin e bashkonin idealet e jetës murgare, në vitin 961 pranoi detyrën e ipeshkvit të Vorçesterit, ku e shndërroi Kapitullin në bashkësi murgare. Themeloi edhe dy kuvende: në Vestbëri-on-Trëm pranë Bristolit dhe në Ramsej. Për këtë të fundit ftoi si mjeshtër Abonin nga kuvendi i Fleirisë, ku kishte qenë më parë.Kur u emërua kryeipeshkëv i Jorkut, iu dha leja të kryesonte dhe dioqezën e Vorçesterit. Pas qëndrimit armiqësor kundër murgjërve, që përfundoi me martirizimin e Shën Eduardit, bashkësitë murgare në Angli u mbyllën përkohësisht. Shenjti vijoi udhën që kishte zgjedhur, duke u shquar kudo për mirësjelljen e jashtzakonshme, butësinë e karakterin gazmor. U bë kështu njeri shumë i dashur për gjithë popullsinë e viseve ku kreu misionin meshtarak e ipeshkvnor. Vdiq në Vorçester më 28 shkurt të vitit 992, pasi u pati larë këmbët 12 varfanjakëve e pati ngrënë me ta në sofrën e vet. Trupi i Shenjtit u mbart në një varr të ri nga Shën Vulfstani, edhe ai ipeshkëv i Vorçesterit nga viti 1062 deri në vitin 1095.







All the contents on this site are copyrighted ©.