2007-02-28 17:36:48

Misteret e së Enjtes së Madhe dhe të së Premtes së Madhe në meditimet e sotme të kardinalit Bifi, në praninë e Papës dhe të Kuries Romake.


(28.02.2007 RV)Misteri i së Enjtes së Madhe, në të cilin ndeshen ballë për ballë dashuria më e lartë e dhuratës eukaristike dhe vuajtja e tradhtisë, si dhe ngjarjet e së Premtes së Madhe, që pasqyrojnë jo vetëm dhimbjen shpërblyese të Krishtit, por edhe sfilitjen e tmerrshme të Nënës së Tij, ishin dy temat mbi të cilat kardinali Bifi, kryeipeshkëv nderi i Bolonjës, e përqendroi meditimin e sotëm krezhmor, mbajtur në praninë e Papës dhe të Kuries Romake.
Vepra vendimtare e shëlbimit të krishterë nis nga një darkë dhe përmban një thirrje humane, drejtuar kujtesës së njeriut: “Bëjeni këtë për kujtimin tim!”. Në Darkën e Mbrame Biri i Hyjit u kërkon njerëzve të mos e harrojnë. Duke u nisur nga këto dy fjalë: kujtimi e darka, kardinali Bifi shpjegoi rëndësinë e së Enjtes së Madhe. Eukaristia – pohoi predikatari – është kryesisht një kujtim, që buron nga thellësia dymijëvjeçare e historisë së njerëzimit, për ta lëshuar rishtas Birin e Krijuesit ndër duar të krijesave të veta. Është kujtim providencial, sepse i krijon njeriut mundësinë ta kujtojë Jezusin, edhe kur është i shkujdesur. Por është edhe kujtim që duhet mbajtur gjallë. Të jesh i krishterë do të thotë të kujtosh çdo ditë ç’ka thënë e ç’ka bërë Jezusi e, sidomos kush është Ai. E kjo – shtoi predikatari i ushtrimeve shpirtërtore – është themelore, sepse e ndihmon njeriun të kuptojë kush është ai vetë e pse jeton. Në se Krishti është Shëlbuesi – vijoi predikatari – atëherë ne nuk jemi të pavarur, por të shëlbuar. Kjo vetëdije e krishterë i kundërvihet njeriut të kohëve tona, i cili vuan nga ankthi për të gjetur vendin e vet në botën e larme të Krijimit. Ndërsa miqësia dhe solidariteti që pasqyrohen në Darkën e Mbrame, të bëjnë të parashijosh Darkën qiellore.
Por në skenën e Çenakullit luhet edhe drama e tradhtisë. Ndërmjet vuajtjeve të rënda që pëson – tha kardinali Bifi - Jezusit i duhet të provojë edhe shijen e vrerosur të mosmirënjohjes e të pabesisë. Të lutemi – tha në përfundim predikatari – që të kemi në zemër deri në fund të jetës dhuratën e duresës e të mirënjohjes. Nga Çenakulli në Gjetseman. E pikërisht në Kopshtin e Ullinjve – pohoi kardinali Bifi në meditimin e dytë të paradites – ndjehet fuqimisht humaniteti i Krishtit: e ndjejmë pranë në vuajtje e në ligështi, që gjithsesi i ofrohen Atit qiellor. Një hap para se të pësojë mundimet, Krishti bëhet meshtari i parë që ndërmjetëson për njerëzimin. Në sa i afrohet vdekja – vijoi predikatari – për të mundur ligështinë e provës, Jezusi i lutet Atit me gjithë zemër. E kjo i tregon të krishterit sesi duhet përballuar vuajtja: jo me kryengritje shterpe, as me rendje pas filozofive që s’të çojnë gjëkundi e as me stoicizëm guximtar. Vuajtja duhet përballuar duke kërkuar Zotin në lutjen plot besim e pasion, me vetëdijën e plotë se Ai i lumi do t’u përgjigjet kërkesave tona të drejta, por me një urti shumë më të lartë se ajo e dëshirave tona. Edhe në këtë rast duhet të ndjekim shembullin e Krishtit: Hyji nuk e shpëton të Birin nga prova e vdekjes, por bën që vdekja të jetë fillim i jetës, gati-gati e rekruton vdekjen nën flamujt e ringjalljes. Por për ta kuptuar vërtetë Kryqin – tha në përfundim kardinali Bifi - Kalvari duhet parë me sytë e Marisë, që plot guxim, i qëndroi pranë Krishtit, në sa pësonte dënimin më tronditës, me vetëdijen se i Biri po flijohej për shëlbimin e njerëzve.







All the contents on this site are copyrighted ©.