2007-02-28 17:37:37

Atë Kolvenbah nuk do të rizgjidhet epror i përgjithshëm i jezuitëve.


(28.02.2007 RV)Edhe pse në teori Atë Peter–Hans Kolvenbah, Epror i përgjithshëm i Shoqërisë së Jezuitëve, mund të zgjidhej përsëri nga Kongregacioni i përgjithshëm i etërve jezuitë, praktikisht kjo nuk do të ndodhë. Këtë e shpjegon atë Hosè de Vera, Drejtor i Zyrës së Informacionit dhe të Shtypit të Shoqërisë së Jezusit në një deklaratë, përmes së cilës sqaron disa lajme të botuara në organet e ndryshme të informacionit.
Meshtari nënvizon se “Eprori i përgjithshëm i jezuitëve, sipas Kushtetutës të vetë Shoqërisë, zgjidhet për gjithë jetën. Është një vendim që Shoqëria nuk mund ta ndryshojë, pa miratimin e Atit të Shenjtë. Kongregata e përgjithshme nuk mund të diskutojë për zhvleftësimin e kësaj rregulle, pa pasur më parë miratimin e Papës.
Prej kohe ka lindur dyshimi lidhur me ruajtjen e kësaj klauzole në rrethanat aktuale, kur jetëgjatësia njerëzore ka pësuar një ndryshim kaq rrënjësor – shton ai.
Në këto rrethana, Atë Kolvenbah u këshillua me Atin e Shenjtë, të cilin e pyeti në se do të ishte e nevojshme të bëheshin ndryshime përsa i përket eprorit të përgjithshëm, duke e zgjedhur për disa vjet, sipas shembullit të kongregatave të tjera rregulltare.
Kësaj kërkese Papa iu përgjigj qartë se klauzola nuk duhet të ndryshojë: Eprori i përgjithshëm duhet të zgjidhet përjetë. Por ky udhëzim i Atit të Shenjtë nuk e pengon eprorin e përgjithshëm që, në ‘raste të veçanta’ e pasi të jetë këshilluar me Shenjtërinë e Tij, t’i paraqesë Kongregatës së përgjithshme kërkesën për dorëheqje.
Një rast i tillë është ai i Eprorit të parë të përgjithshëm të jezuitëve, Atë Pedro Arrupes, i cili dha dorëheqjen për arsye të pamundësisë për të vijuar misionin në drejtimin e Shoqërisë.
Disa muaj më parë – vijon Atë Vera - Benedikti XVI i dha Atë Kolvenbahut lejën të paraqesë kërkesën për dorëheqje. E këtë kërkesë do ta bëjë në Kongregatën e ardhshme të përgjithshme, që do të mblidhet në janar 2008. Prandaj ‘teorikisht’ Kongregata mund të mos e pranojë propozimin për dorëheqje, paraqitur nga Atë Kolvenbah. Në këtë rast, sipas rregullave të Shoqërisë, kërkesa e Eprorit të përgjithshëm për dorëheqje nuk ka kurrfarë vlere. Por kjo nuk do të ndodhë, sepse Eprori i përgjithshëm ka ndjekur rrugën që parashikohet në rastet e dorëheqjes.
Sipas këtij procesi, parashikohet që “kur eprori i përgjithshëm vendos, për arsye të pakundërshtueshme, të paraqesë kërkesën për dorëheqje nga detyra, duhet të kërkojë, me votim të fshehtë, mendimin e këshilltarëve të tij dhe të provincialëve të të gjithë Shoqërisë”.
Sipas njoftimit të Drejtorit të Kuries së Eprorit të përgjithshëm, Atë Kolvenbah e ka bërë këtë e rezultati ka qenë pranimi i njëzëshëm i arsyeve që e shtynë të merrte këtë vendim. Këshilltarët dhe provincialët me të cilët u këshillua Atë Kolvenbah, përfaqësojnë pjesën kryesore të zgjedhësve në Kongregatën e përgjithshme. Kështu mund të themi se rezultati i Kongregatës është moralisht i sigurtë. I njëjti zëdhënës njofton se arsyet që e shtynë Atë Kolvenbah të paraqesë dorëheqjen, janë: “Drejtimi i Urdhërit për një kohë jashtzakonisht të gjatë (25 vjet) dhe mosha (në 2008–tën mbush 80 vjeç)”. Sidoqoftë, asnjëra nga këto arsye nuk do të merreshin parasysh, në se nuk do të ishin paraqitur nga vetë Atë Kolvenbah, prandaj janë pranuar edhe nga Ati i Shenjtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.