2007-02-27 17:57:49

Për arsye të ushtrimeve shpirtërore, nuk do të mbahet audienca e përgjithshme. Janë ditë heshtjeje e meditimi, të nevojshme për çdo të krishterë. Me ne Eprori i Bose, Enco Bianki.


(27.02.2007 RV)Papa e Kuria Romake, pra, vijojnë ushtrimet e shpirtit. Të gjitha audiencat papnore janë ndërprerë e nesër Sheshi i Shën Pjerit nuk do të gumëzhijë, si çdo të mërkurë, nga shtegtarët e udhëve të afërta e të largëta. Nesër nuk do të mbahet audienca e përgjithshme. Por pse ka kaq shumë rëndësi që i krishteri t’i ndërpresë veprimtaritë e përditshme e t’ia kushtojë një pjesë të kohës Zotit, përmes ushtrimeve shpirtërore, ose në mënyra të tjera të mundshme? Pyetëm Eprorin e bashkësisë murgare të Bose-s, Enco Bianki:
Përgjigje:- Është vendimtare për jetën shpirtërore. Nuk duhet të harrojmë se vetë Jezusi, gjatë jetës së tij – e këtë na e dëshmojnë Ungjijtë – tërhiqet mënjanë, në vetmi, për t’u lutur, për të medituar, për të dialoguar me Shkrimet Shenjte e me Atin qiellor. Në historinë e krishterë kjo kërkesë është e gjithpranishme, sepse ka çaste kur njeriu ndjehet i lodhur, e ngadalëson hapin, i shterrojnë forcat. Ndjen atëherë nevojën për ta marrë përsëri shpirtërisht veten, për ta ushtruar shpirtin, për t’iu kushtuar Fjalës së Zotit, rishikimit të jetës, lutjes, në mënyrë që jeta jonë të gjallërohet rishtas.
Pyetje: - Mësuesi i madh i ushtrimeve shpirtërore është Shën Injaci i Lojolës, por praktika e këtyre ushtrimeve është jetuar në mënyra të ndryshme që në agimet e krishterimit. Mjafton të mendojmë për jetën murgare, për Shën Françeskun, për karmelitanët e kështu me radhë…
Përgjigje: - Sigurisht është Shën Injaci i Lojolës ai që përcaktoi metodën e ushtrimeve shpirtërore. Por për këto ushtrime flitej shumë kohë përpara tij. Për këtë traditë na flet gjithë historia e monakizmit. Është fjala për të ndjekur këshillin që jepnin etërit e shkretëtirës: “Ik, hesht, qetësohu!” – që do të thotë hiqu mënjanë, zhytu në heshtje, rigjej paqen e shpirtit. Duke medituar për Shkrimin Shenjt e duke u lutur, njeriu rigjen forcën shpirtërore për të vijuar udhën drejt Mbretërisë qiellore. Për monakizmin ushtrimet shpirtërore kanë kuptimin e vetmisë e të lutjes; edhe Shën Françesku i vinte rëndësi të dorës së parë lutjes, ndërsa në ushtrimet shpirtërore të përcaktuara nga Shën Injaci ka shumë peshë meditimi e ndër karmelitanë, kundrimi. Janë mënyra të ndryshme, por të çojnë në të njëjtin cak: të ndihmojnë të bësh kthesën e madhe, të gjesh në fjalën e Zotit, limfën për jetën tënde shpirtërore!







All the contents on this site are copyrighted ©.