2007-02-27 17:57:40

Krishterimi është risi e pashoqe në historinë e njerëzimit: kështu tha Gjakomo Bifi në ushtrimet shpirtërore në praninë e Papës e të Kuries Romake.


(27. 02. 07 RV) Çdo njeri, edhe ai që nuk e pranon fare Ungjillin, është menduar e dëshiruar nga Krishti: këtë nënvizoi kardinali Bifi, kryeipeshkëv nderi, në ditën e tretë të ushtrimeve shpirtërore, mbajtur në praninë e Papës e të Kuries Romake në kapelën “Nëna e Shëlbuesit” të Pallatit Apostolik. Hirësia e Tij foli për risinë e pashembullt të krishterimit në historinë e njerëzimit si dhe për dëshminë e të Lumit Shuster, kryeipeshkëv i Milanos për 25 vjet me radhë.
Në meditimin e parë, pas kremtimit të Lutjeve të mëngjesit, kardinali Gjakomo Bifi kujtoi se për bashkësinë e parë të krishterë, pranë Hyjit të Izraelit është edhe Jezusi i Nazaretit, i Kryqëzuar e i Ngjallur. Apostujt, ndonëse mbeten hebrenj koherentë e besnikë, e adhuruan Birin e Marisë si sundimtar i kohëve, si qëndër e gjithësisë. Krishterimi – shtoi kardinali - duhet parë si vijim i hebraizmit, sepse lind në gjirin e fesë së Izraelit. Apostujt nuk u propozojnë njerëzve një fe, e cila ndryshon nga ajo që kanë jetuar. E megjithatë krishterimi është një e re e pashembullt në historinë e njerëzimit. Nuk është e rastit që fjala risi përcakton gjithë përvojën ungjillore. Fakti qendror e plotësisht i kuptueshëm – tha predikatari – është hyrja e vrullshme e Krishtit dhe e veprës së tij shëlbuese. Apostujt takohen me një njeri që shkatërron çdo skemë. Në dukje ai nuk dallohet fare prej tyre: qan, gëzohet, lodhet. Edhe ai e ka një vendlindje e një traditë familjare. Por Apostujt shumë shpejt vërejnë se kanë të bëjnë me një rast të padëgjuar. Pas Pashkëve të Ngjalljes – vijoi predikatari – Apostujt detyrohen t’i rilexojnë të gjitha ngjarjet e jetës së Krishtit. Detyrohen të dorëzohen, të pranojnë se kanë hyrë në lidhje me Dikë që qëndron mbi çdo qenie njerëzore. Me gjendje të tilla befasie shpirtërore është plot Ungjilli - kujtoi kardinali - i cili citoi më pas himnin e Shën Palit nga kapitulli I i Letrës drejtuar Kolosianëve, ku gjejmë një meditim tepër të lartë të realitetit të mbinatyrshëm të Jezu Krishtit.
Në meditimin e dytë, pas kremtimit të Orës së Tretë, kardinali Bifi pohoi se deri para pak vjetësh, duke ndjekur Shën Agostinin, mendohej se njeriu mund të shëlbohet vetëm përmes Jezu Krishtit. Prej këndej, kush nuk mund ta adhuronte këtë emër, konsiderohej si i paracaktuar ta humbiste shpirtin. Ndërsa sot – vijoi kardinali – ai që beson në vlerën unike e të domosdoshme të Kryqit, mund të duket si njeri i rrugëve të ngushta, i paaftë për t’i kuptuar të mirat e të vërtetat e botës që nuk e pranon krishterimin. E vetmja mënyrë për të shpëtuar nga kjo humnerë – kujtoi predikatari – është të kuptosh se vlerat, kudo ndodhen, objektivisht janë gjithnjë të frymëzuara nga Jezu Krishti. Vetëm përmes Krishtit njeriu mund t’ia hapë zemrën të gjithëve. Shpirti Shenjt di të kristianizojë edhe realitet që janë krejt larg nga Ungjilli. Shën Toma – vijoi të kujtojë kardinali – mbron idenë se çdo e vërtetë, kahdo që të vijë, buron nga Shpirti Shenjt. Të gjithë njerëzit janë të menduar e të dëshiruar nga vetë Krishti shëlbues, janë të paracaktuar për Të, janë vënë në lidhje rrënjësore me Të. Prandaj krishterimi nuk porosit të duash besimtarin, por të afërmin, sepse i afërmi është shembëlltyrë e Krishtit. Çdo vlerë e vërtetë është në vetvete e krishterë e si e tillë duhet vlerësuar kudo që të ndodhet: në art, në kërkimin shkencor, në meditim. Nga ana tjetër, gjithçka jeton në Krishtin është vlerë: edhe vuajtja, mossuksesi e deri vdekja, që mendësia e botës jo vetëm që nuk i vlerëson, por edhe i përjashton. Çdo humanizëm larg njohjes së Krishtit ose kundër fesë së krishterë – tha në përfundim kardinali Bifi - nxit lindjen e një shoqërie çnjerëzore, mësim tragjik ky, që na e dha shekulli XX. Kardinali Bifi kujtoi edhe dëshminë e ndritur të të Lumit Alfred Hildefons Shuster, kryeipeshkëv i Milanos për 25 vjet me radhë, nga viti 1929 deri në vitin 1954. Ishte mësues e model – tha predikatari – sepse dëshmitar bindës i botës së padukshme. Ishte në gjendje ta aktualizonte në mënyrë krejt të natyrshme misterin e Krishtit. Kardinali Shuster – vijoi predikatari – i jepte rëndësi të madhe vizitave baritore, të cilat i kryente gjatë ditëve të javës, ndërsa të dielën ishte gjithnjë në katedrale. Mund ta takonte çdo milanez. Kështu ai ia dhuroi gjithë jetën Kishës, i qëndroi gjithnjë pranë grigjës që i qe besuar. Kishte lindur në Romë, por ishte bërë milanez: prandaj besimtarët e donin si të ishte bir i tyre. Vështirë ta bëje të dilte nga dioqeza e tij. Gjatë 25 vjetëve në krye të dioqezës milaneze, nuk mori kurrë asnjë ditë leje të zakonshme, madje nuk ia lejoi vetes as të sëmurej. Mund të themi se ishte bari që s’dinte ç’është prehja. Në ditët e fundit të jetës shprehu dëshirën të takohej me seminaristët, të cilëve u tha: “Më duket se njerëzit nuk binden më nga predikimi ynë, por ama përballë shenjtërisë vijojnë të besojnë, të gjunjëzohen e të luten. Mos harroni se djalli nuk i dron fushat tona sportive, s’ trembet nga kinematë tona, por dridhet nga frika e shenjtërisë sonë".







All the contents on this site are copyrighted ©.