2007-02-26 17:15:42

Bota e padukshme, kthimi në rrugën e Zotit dhe domethënia e krishterë e vdekjes – meditimet e para të kardinalit Gjakomo Bifi në ushtrimet shpirtërore të Krezhmëve.


(26.02.2007 RV)Ekzistenca e botës së padukshme, që na shtyn drejt perceptimit të krijesave hyjnore, të injoruara nga kultura e pozitivizmit shkencor dhe nevoja e kthimit të zemrës për të zgjedhur me vetëdije Zotin e jo të keqen e, parë në këtë këndvështrim, vlera e pendimit përballë mëkatit dhe vlera e jetës së jetuar me shpresën se ka një botë të përtejme, se jeta nuk mbaron në asgjë – janë disa nga temat që trajtoi kardinali Bifi në tre meditimet e para të ushtrimeve shpirtërore të Krezhmëve, mbajtur në praninë e Papës dhe të Kuries Romake.
Gjatë meditimeve, kardinali Bifi ndërmjet tjerash, theksoi: “Për vetë natyrën e tij, njeriu e ka të vështirë ta konceptojë ekzistencën e botës së padukshme, nuk mund ta kuptojë lehtë se ka një “diku tjetër” jashtë perceptimit të shqiseve të tija. Por të mos e pranosh se ekziston jeta e përtejme duhet konsideruar, mbi të gjitha, sjellje irracionale, sepse njeriu nuk është dija e pambaruar, nuk mund të pretendojë të japë me siguri mendime për atë që nuk mund të shihet, që nuk mund të preket. Përkundrazi, të pranosh se ekziston një botë e padukshme, do të thotë të nxjerrësh në dritë një botë në të cilën është e mundur çdo e papritur, një botë që nuk e përjashton, për shembull, praninë e engjëjve. Kjo ishte, e përmbledhur me pak fjalë, hyrja e përgatitur nga kardinali Bifi për meditimin e parë të ushtrimeve shpirtërore krezhmore, gjatë të cilit shpjegoi se edhe besimtari rrezikohet ta matë me masën e mjerimit të vet pafundësinë e gjërave hyjnore. Besimtari tregon se e merr seriozisht botën e padukshme, kur e merr seriozisht botën e engjëjve – tha kardinali – duke dënuar mendësinë e sotme, që tallet me realitetin e fshehur të engjëjve, sepse kjo botë ka prirje të pakta për t’i kuptuar “sendet që janë atje lart”. E në se gjithçka shikohet me sy të tillë, zhduket edhe frika e një Kishe, së cilës i duket vetja grigjë e vogël, në krahasim me forcat që i ngrenë kurthe në të katër anët – vërejti kardinali Bifi – e kjo sepse e ndjen veten pjesë të një bashkësie të panumërt, që jeton ndërmjet qiellit e tokës.
Në meditimet e paradites së sotme, predikatari i ushtrimeve shpirtërore në Vatikan, preku dy aspektet themelore të Kohës së Krezhmëve: pendesën për mëkatin, parë në këndvështrimin shëlbues e vdekjen, parë në këndvështrimin shpërblyes, ndërsa për meditimin e tretë, kardinali e mori shtytjen nga fraza që shoqëron ritin e përhimjes “Kujto se hi je e në hi do të kthehesh”. Për një botën që nuk e njeh botën e padukshme – shpjegoi kardinali Bifi – vdekja është shpartallim. Jeta, që sipas disave, është e paracaktuar të përfundojë në asgjë, nuk ka kurrfarë kuptimi, madje e bën pa kuptim edhe gjithçka që bëjmë sa jemi ende gjallë. E kjo sepse si njeriu më fisnik, ashtu edhe më i mbapshti, në dukje mbarojnë në të njëjtën mënyrë. Madje një mendësi e tillë do të dëshironte ta mohonte vdekjen, duke mos folur fare për të. Vetvrasjet e shumta ose vdekjet e të rinjve në kthim nga diskotekat, janë simboli më tragjik i jetëve të shkrira pa kurrfarë kuptimi. Po një zbraztësi e tillë është absurde për mendjen e njeriut. E këtu qëndron ndryshimi i mesazhit ungjillor, që nuk e cenzuron vdekjen, të cilën e ka provuar edhe vetë Zoti – tha kardinali dhe i nxiti barinjë të reflektojnë thellë për vdekjen, duke u prirë njerëzve që duhet të zgjedhin ndërmjet jetës së pasosur, për të cilën nuk dinë asgjë e jetës që bëhet hi, sepse jeta pa Zot s’është gjë tjetër, veçse një flakë kashte që përfundon në një grusht me hi.







All the contents on this site are copyrighted ©.