2007-02-26 18:25:52

Berthamorja: Ahmedinejad: programi iranian i pakthyeshem


(26.02.07 RV) Pesë vendet anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe Gjermania u takuan sot në Londër për të diskutuar mbi sanksionet e mëtejshme kundër Iranit, i cili duket i vendosur në vazhdimin e programit për pasurimin e uraniumit. Dje presidenti iranian, Mahmud Ahmadinexhad deklaroi se programi bërthamor i Iranit është si "treni që nuk ka as frena dhe as marrshin për kthim mbrapa". Bëhen gjithnjë e më të shpeshta zërat që flasin për një program lufte të SHBA kundër Iranit. E shqetësuar për këtë është paraqitur Rusia, e cila nuk është plotësisht dakord me të gjitha sanksionet kundër Republikës Islamike.


Zv. Presidenti dhe Ministri i Punës i Irakut janë plagosur sot në një atentat në Bagdad. Mbi numrin e viktimave, bilanci është akoma i paqartë, por flitet për rreth dhjetë vetë e rreth 30 të plagosur. Ndërkaq, presidenti i Irakut, Talabani është shtruar urgjentisht në spital në Jordani, pasi i ra të fikët në një konferencë.


Zv.presidenti amerikan, Dik Cenei vizitoi sot pa pritur Pakistanin dhe Afganistanin. Qëllimi i vizitës, ofensiva e pranverës së talebanëve. Cenei u kërkoi presidentëve të të dyja vendeve të bëjnë më shumë për të luftuar kundër terrorizmit.


Kinemaja vazhdon t’i bëjë njerëzit të ëndërrojnë. Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Oskar kanë fituar një numër i konsiderueshëm filmash me përmbajtje politike. Filmi më i mirë u shpall “The Departed” (Të ikurit), i cili fitoi katër statuja. Martin Skorseze mori çmimin si regjizori më i mirë, por filmi i tij u cilësua si më i miri edhe për montazhin dhe skenarin.
Çmimin për filmin më të mirë të huaj e mori filmi gjerman "Jetët e të tjerëve", që është një triler për agjentët e policisë sekrete të Stasit, në vitet ’80, në Gjermaninë Lindore. Nga dokumentarët, fitoi "Një e vërtetë pa leverdi", që ka për bazë fushatën e ish-zëvendës presidentit amerikan, Al Gor për çështjen e ngrohjes globale.








All the contents on this site are copyrighted ©.