(26.02.2007 RV)Vinçenc Dorsa (1823-1885). Lindi në Frasnitë të Kozencës në
Kalabri më 26 shkurt 1823. U shkollua në kolegjin e Shën Adrianit në Shën Mitër Korone
e më pas në kolegjin Urbanian të Propaganda Fides në Romë. Për shumë vjet qe mësues
i greqishtes dhe latinishtes në shkollën e mesme të Telesios në Kozencë. Vepra me
të cilën nisi të bëhej i njohur, është Su gli Albanesi, ricerche e pensieri,
Napoli 1847 (Mbi shqiptarët, hulumtime e mendime), kushtuar alla mia nazione divisa
e dispersa ma una (kombit tim, të ndarë e të shprishur, por një të vetëm). Me
këtë vepër synoi, siç e thotë vetë në parathënie, "të tërheqë vëmendjen e opinionit
publik për mbrojtjen e të drejtave të një kombi të shquar por të panjohur".Vepra përmban
të dhëna të begata për prejardhjen dhe historinë e shqiptarëve deri në kohën e Skënderbeut,
për ngulimet shqiptare në Italinë e jugut dhe për poezinë popullore, zakonet dhe letërsinë.
Më pas Dorsa botoi Studi etimologici della lingua albanese, Kozencë 1862 (Studime
etimologjike për gjuhën shqipe) dhe La tradizione greco-latina nei dialetti della
Calabria citeriore, Kozencë 1876, 1884 (Tradita greko-latine në dialektet e Kalabrisë
së Epërme). Të pabotuara kanë mbetur veprat Discorso in lingua albanese, një
traktat fetar i shkruar shqip gjatë studimeve në Romë dhe dorëshkrimi i gjashtëdhjetepesë
këngëve popullore arbëreshe nga Kozenca, me titullin Canti popolari albanesi
(Këngë popullore shqiptare). Dorsa njihet edhe si përkthyes i Ungjillit të Shën Mateut,
nga i cili ruhet një variant kalabrez, i rishikuar nga Dhimitër Kamarda e i botuar
në Londër më 1869 nga princi Lyi-Lusië Bonaparti.