2007-02-24 17:10:58

“Ta zhdukim së bashku varfërinë dhe ta gjallërojmë familjen me dashuri”.


(25.02.2007 RV) Kjo është tema e mesazhit të ipeshkvit të Hong Kongut, kardinalit Jozef Zen ze-kiun për Krezhmët 2007. Mesazhi lidhet ngusht me realitetin shoqëror të qytetit, ku hendeku ndërmjet të pasurve e të varfërve është shumë i thellë, prandaj bëhet edhe më urgjente nevoja për t’i ndihmuar të varfërit. Familja është bashkësi dashurie, por në Hong Kong vijojnë tragjeditë familjare – vëren ipeshkvi - prandaj i fton besimtarët t’i konsiderojnë të afërmit si vëllezër e ta ndërtojnë familjen e tyre dhe familjen e madhe njerëzore mbi bazën e dashurisë së Krishtit. Njeriut është egoist- vijon prelati - nuk do ta pranojë misionin e dashurisë, gjen gjithnjë pretekste për të fajsuar të tjerët e për të përligjur veten. Por të krishterët nuk mund të heqin dorë nga një impenjim i tillë. Mjafton t’ia ngulin mirë sytë Krishtit në Kryq!
E kjo – vijon ipeshkvi kinez – më kujton nënën e shën Gjon Boskos. Një ditë fëmijët që mblidhte Gjoni ia kishin shkatërruar kopshtin e ia kishin ndotur rrobat e lara, që thaheshin në tel. Kur u kthye i biri, ajo iu lut ta lejonte të kthehej në fshat. Shenjti i ardhshëm nuk tha asnjë fjalë, vetëm i tregoi me gisht Kryqin që varej përballë. Kështu shkruan prelati dhe në fund të mesazhit bën pyetjen: “A keni në shtëpi ndonjë Kryq të madh? Në se nuk e keni akoma, gjejeni dhe vendoseni në krye të vendit, që të mund ta shikoni mirë ngado që të lëvizni!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.