2007-02-24 17:16:37

Sipas një studimi, në Kinë shtohet numri i besimtarëve.


(25.02.2007 RV)300 milionë kinezë besojnë në një nga fetë që praktikohen në këtë vend të pakufishëm. Numri i besimtarëve, sipas një sondazhi të dy profesorëve të Universitetit të Shangait, botuar në gazetën qeveritare China Daily, është trefish më i madh se ai i statistikave të qeverisë së Pekinit.
Sipas sondazhit, 31,4% e popullsisë mbi moshën 16 vjeç deklaron se beson në një nga fetë që praktikohen në vend. Nga sondazhi arrihet në përfundimin se feja që po përhapet më shumë është kristianizmi: 12% e besimtarëve kinezë, përkatësisht 40 milionë vetë, deklaroi se praktikon fenë e krishterë. Të pyetur për shkaqet e këtij rizgjimi fetar, 24,1% e të intervistuarve u përgjigjen se feja tregon rrugën e vërtetë të jetës. Pjesa tjetër shprehu mendimin se feja të ndihmon t’i përballosh më me guxim sëmundjet, fatkeqësitë e të bësh një jetë më të mirë”.Kujtojmë se qeveria e Pekinit njeh zyrtarisht pesë fe: budizmin, taoizmin, islamin, katolicizmin e protestantizmin. Regjimi lejon praktikimin e fesë vetëm në vende të kontrolluara rreptësisht. Të ashtuquajturat ‘Bashkësitë jo zyrtare’ përndiqen vazhdimisht nga autoritetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.