2007-02-24 17:11:21

Shenjtorët e Javës sipas Kalendarit kishtar


(25.02.2007 RV)Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e parë të Krezhmëve. Nesër, e hënë, Kisha do të kremtojë Shën Aleksandrin e Aleksandrisë dhe Shën Faustinianin, ipeshkëv i Bolonjës. Liturgjia e festës së tyre na kujton se gjykatësi që na pret është një i vetëm. Një i vetëm është edhe gjyqi, pa të drejtë apeli. Vendimet janë dy: për jetën e amshuar ose për mundimet e pasosura. Krimi, një: fyerja e Zotit, që ka vijuar të na përsëritë gjithë jetën: “Ma keni bërë mua!”.
Liturgjia e festës së Shën Gabrielit të Zojës së Dhimbshme, rregulltar pasionist , të marten e ardhshme, na kujton se kush shpreson në Zotin, nuk mbetet kurrë i zhgënjyer.
Shën Osvaldi; Shën Hilari, papë e Shën Romani, abat që do të kremtohen të mërkurën, na kujtojnë se banorët e Ninives, pasi dëgjuan predikimin e Jonës, u penduan; edhe Mbretëresha e Sabës e dëgjoi me vëmendje dijen e Salomonit. Ndërsa kush i kundërvihet Jezusit, s’bën tjetër veçse të tregojë masën e arrogancës e të mbrapshtisë së vet.
Të enjten e ardhshme do të kremtohen Shën Feliçi, papë dhe shën Albini, ipeshkëv i Anzhé. Në liturgjinë e festës së tyre jehon fuqimisht britma e mëkatarit të penduar drejtuar Zotit: “Dëgjoje, o Zot, të varfërin që të lutet!”.
Shën Angjela e Kryqit, virgjër, që do të kremtohet të premten na kujton uratën zhgjetore: “Na fal o Zot, e ne do të jetojmë”. Shën Kunegonda, bashkëshorte e Enrikut II perandor, e cila do të përkujtohet të shtunën, na kujton se vërtetë i lum është vetëm njeriu që i qëndron besnik ligjit të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.