Nikë Prela, ipeshkëv i Kosovës, në 11-vjetorin e vdekjes.
(25.02.2007 RV)Imzot Prela lindi në Kotorr më 3 qershor 1918. Ndoqi rrugën
e meshtarisë, që e çoi në detyrën e lartë të ipeshkvit të dioqezit të lashtë të Shkup-Prizrendit,
bari i të cilit ishte qysh nga viti 1970 deri në vdekje. Jetoi me Zotin e për
Zotin, me popullin e për popullin, duke shkrirë të gjitha energjitë e veta për ta
ndriçuar me dritën e Ungjillit. Si meshtar, punoi me të gjitha forcat, me fjalë e
me vepra për të kumtuar Ungjillin e Krishtit; si ipeshkëv, tregoi kujdes të veçantë
për thirrjet meshtarake dhe talentet e reja, duke i hapur rrugën lulëzimit të veprimtarisë
fetare-kulturore-atdhetare. Iu vu ai vetë punës dhe botoi një sërë veprash, ndërmjet
të cilave, Fjalorin Biblik. Si atdhedashës, të cilit i dhimbsej vendi e populli
i vet, trokiti portë më portë në zyrat e larta kudo nëpër botë për të mbrojtur me
kërrabën e bariut, grigjën që i qe besuar, rrethuar nga ujqërit e uritur. Dha kështu
një kontribut të shquar në ndërkombëtarizimin e çështjes shqiptare, veçmas të Kosovës. Ndërroi
jetë më 25 shkurt 1996. Shfletuam sot arkivin tonë dhe shkëputem nga një intervistë
e tij dhënë radios sonë, këtë fragment simbolik: