2007-02-23 19:00:56

Sot, në praninë e Papës, u mbajt Konçistori për shpalljen e 5 shenjtorëve të rinj.


(23.02.2007 RV)RealAudioMP3 Janë pesë dëshmitarë të Ungjillit, që në epoka të ndryshme ecën me dashuri e vetmohim të pakufishëm në gjurmët e Krishtit. Kjo u theksua sot në Konçistorin e zakonshëm publik, kryesuar nga Benedikti XVI për shpalljen e pesë shenjtorëve të rinj, që u mbajt në sallën e Koncistorit të Pallatit Apostolik në Vatikan. Figurat e shenjtorëve të rinj iu paraqitën Papës nga kardinali Hosé Saraiva Martins, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.
Ecclesia, Sanctorum mater, semper gaudet cum in fillis suis….”
“Kisha, nënë e shenjtorëve, galdon gjithnjë kur shikon si shkëlqen në bijtë e vet, figura e vetë Krishtit, shembull i përsosurisë hyjnore”. Këtë nënvizoi kardinali Martins i cili, duke folur shkurtimisht për jetën e pesë shenjtorëve të rinj, kujtoi sidomos se ata i tërhoqi vërtetësia e dashuria e Krishtit.
Unusquisque, suo in ambitu ac tempore…
“Secili prej tyre – pohoi – në kohën e vet e në ambientin e vet qe ndërtues i përvujtë e durimtar i Mbretërisë së Zotit”.
Ndërmjet shenjtorëve të rinj është Simoni nga Lipnica, polak i Urdhërit të Fretërve të Vegjël, predikatar i shquar, njeri i fjalës e i veprimit, që dha ndihmesë të jashzakonshme gjatë një epidemie të murtajës, sëmundje nga e cila vdiq në vitet 1400. La një amanet prekës: ‘Të varrosej në prag të portës së Kishës, që ta shkelnin me këmbë të gjithë besimtarët’.
Shpallen shenjtorë edhe rregulltari pasionist holandez, Karlo Sant’Andrea, që jetoi në vitet 1800, apostull i ekumenizmit dhe rrëfyes i palodhur; rregulltari alkantarin brazilian Antoni i Shën Anës, që jetoi rreth viteve 1700-1800, themelues i kuvendit të Motrave Konçecioniste dhe rregulltarja kundruese franceze Maria Eugjenia e Jezusit, që jetoi në 1800-tën, themeluese e Motrave të Asuncionit.
Së fundi shpallet shenjt edhe meshtari maltez, Gjorgjio Preka, themelues i Shoqërisë së Doktrinës së krishterë, kushtuar edukimit të të rinjve, që jetoi në shekullin e kaluar. Porosia kryesore që u la dishepujve të tij, ishte: “T’i përngjisni Krishtit zemërbutë, sepse pikërisht zemërbutësia mund t’ia ndryshojë faqen botës”.
Liturgjia e shenjtërimit të të Lumit Antoni i Shën Anës do të kremtohet më 11 maj 2007, ndërsa e katër të tjerëve, më 3 qershor 2007.
E pikërisht dje, në takimin me meshtarët romakë, Benedikti XVI nënvizoi rolin e jashtzakonshëm që luajnë shenjtorët në përfocimin e fesë sonë:“Natyrisht shenjtorët na shoqërojnë. Janë figura që, megjithëse patën probleme të shumta, e shpjeguan me jetën e tyre vërtetësinë e Shkrimit Shenjt. Secili njeri ka shenjtin e vet, nga i cili mund të mësojë ç’do të thotë të jetosh si i krishterë i vërtetë, e këtë mund ta mësojë edhe më mirë nga shenjtorët e kohëve tona, pa harruar se Virgjëra Mari mbetet Nëna e Fjalës së Hyjit e Nëna jonë, që na ndihmon të ecim gjithnjë përpara në rrugën e shenjtërisë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.