2007-02-22 18:20:51

Gjatë kohës së Krezhmëve besimtarët zviceranë do të thellojnë luftën kundër skllavërive të reja.


(22.02.2007 RV)Quhet “Action de Carême” fushata ekumenike për denocimin e skllavërive të reja dhe për mbledhjen e ndihmave materiale në favor të popujve të varfër të botës, që po organizohet në periudhën e Krezhmëve 2007 nga Veprimi katolik zviceran në bashkëpunim me organizatat homologe protestante “Bukë për të afërmin” dhe “Të jemi partnerë”
“Ne besojmë se çdo punë duhet të respektojë dinjitetin e njeriut” është tema e zgjedhur për këtë fushatë, që do të fillojë më 25 shkurtin e ardhshëm, në të dielën e parë të Krezhmëve. Tri organizatat e krishtera helvetike denoncojnë kushtet çnjerëzore e të paligjshme në të cilat punojnë qindra mijëra punëtorë në botë, duke nisur nga sektori më fitimiprurës, ai i informatikës. Ato kujtojnë se sot sasia më e madhe e pjesëve për kompjuter prodhohet ndër vendet më të pazhvilluara, ku kanë ngritur impiantet e tyre ndërmarrjet që furnizojnë multinacionalet e mëdha informatike. E kjo, jo për t’i ndihmuar vendet e varfëra, por pse atje krahu i punës është i lirë e ligjet nuk kanë forcë për ta mbrojtur punëtorin. Kështu punëtorët paguhen shumë pak, ndërsa veprimtaria e sindikatave pengohet në të gjitha drejtimet. Nuk është më e mirë situata as në sektorin e punës shtëpijake e bujqësore, e nuk janë të rralla rastet kur punonjësit kthehen në skllevër në kuptimin e plotë të kësaj fjale. Raste të shumta vërehen në Brazil, ku vijon veprimtaria e Komisionit baritor për çlirimin e skllevërve të tokës.







All the contents on this site are copyrighted ©.