2007-02-21 19:05:25

Serbët e kosovarët nuk ndryshojnë qëndrim në ditën e parë të negociatave në Vjenë.


(21.02.07 RV) Dita e parë e negociatave serbo-kosovare në Vienë përfundoi pa ndonjë rezultat të dukshëm. “Asnjëra nga të dyja palët – deklaroi i dërguari i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari – nuk e ka ndryshuar qëndrimin e vet përsa i përket statusit". Serbët po përpiqen të hapin një raund krejt të ri negociatash, pa marrë parasysh propozimin e Ahtisarit, megjithëse kryenegociatori, Sllobodan Samarxhiq theksoi se serbët hedhin poshtë vetëm pjesën ku flitet për dhunimin e integritetit territorial të Serbisë. Ata janë gati t’i japin Kosovës “një autonomi të zgjeruar”. Kreu i delegacionit të Kosovës, Veton Surroi deklaroi se Beogradi kërkon t’i kthejë diskutimet në stadin që ishin para një viti, por kjo nuk është më e mundur.
Lëviz edhe kreu i kishës ortodokse serbe në Kosovë, peshkopi i mirënjohur Artemije. Në një intervistë për gazetën vieneze “Die Presse”, ai paralajmëron rrezikun e “terrorizmit islamik” në Ballkan, nëse i jepet pavarësia Kosovës. Integralistët islamikë arabë, sipas tij, ndodhen tashmë në territorin e Kosovës dhe gjatë viteve të fundit kanë ndërtuar 400 xhamia të reja.
Mëgjithëse optimist, duke pasur parasysh se negociatat do të vazhdojnë deri më 2 mars, Ahtisari shprehu shqetësim të madh për keqësimin e sigurisë në Kosovë. “Unë e kam shtyrë tepër paraqitjen e planit tim – deklaroi ai në një konferencë shtypi në Vjenë. Nëse ky proces do të shtyhej pambarimisht, çështja e sigurisë mund të bëhej problematike”.








All the contents on this site are copyrighted ©.