2007-02-21 18:43:26

Praktikat krezhmore për traditën e krishterë janë 'armë' shpirtërore për të luftuar pasionet e këqija dhe veset.


(21.02.2007 RV)RealAudioMP3 Kështu u shpreh Ati i Shenjtë sot pasdite në Aventin, ku kryesoi një takim urate në formën e “Stacioneve” romake.
Kremtimi filloi me një çast lutjeje në Kishën e Shën Anselmit. Më pas vijoi proçesioni drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ku u kremtua Eukaristia me ritin e përhimjes.
Pas pak, duke u përhitur – tha Papa në fillim të homelisë – do të dëgjojmë përsëri ftesën për t’u penduar, të shprehur përmes formulës “Pendohuni e besoni në Ungjill”, ose “Kujtohu se je hi e në hi do të kthehesh!”. Pikërisht për shkak të pasurisë së simboleve e të teksteve biblike dhe liturgjike, e Mërkura e Përhime – tha Papa – quhet ‘porta e Krezhmëve”.
Duke komentuar leximet liturgjike, Ati i Shenjtë krijoi atmosferën pendestare të kësaj kohe të fortë, me ftesën biblike që Zoti e vë në gojën e Joelit profet: “Khehuni nga unë me gjithë zemër, me agjërime, me lot e vajtime; shqyeni zemrat e jo petkat; kthehuni, sepse Hyji juaj është i butë e i mëshirshëm, i durueshëm e i dhimbshëm, ndjen keqardhje për fatkeqësitë”.
Ftesa e Joelit ka vlerë edhe për ne - nënvizoi Papa dhe i ftoi besimtarët të mos ngurrojnë për ta rigjetur miqësinë e Zotit, të humbur për shkak të mëkatit, duke përsëritur kthesën e Psalmit të madh pendestar: “Na fal, o Zot, kemi mëkatuar! Na e kthe sërisht gëzimin që ndjen njeriu i shpëtuar!”.
Më pas, me Shën Palin, Papa përsëriti ftesën “Ky është çasti i favorshëm, kjo – dita e shpëtimit!”.
“Liturgjia e së Mërkurës së Përhime na tregon se kthesa e zemrës tek Zoti është përmasa themelore e kohës së Krezhmëve. E kjo thirrje ndjehet fuqimisht gjatë ritit të përhirjes – tha Papa - dhe më pas shpjegoi se riti ka një kuptim të dyfishtë: lidhet me ndryshimin e brëndshëm, kthesën e pendesën dhe na kujton brishtësinë e njeriut”.
Si shpjegoi domethënien e liturgjisë së lashtë romake të së Mërkures së Përhime, Papa theksoi:
“Të dashur vëllezër e motra, kemi dyzet ditë për ta thelluar këtë përvojë shpirtërore asketike, duke bërë vepra dashurie të krishterë, dmth duke dhënë lëmoshë, duke u lutur e duke agjëruar”.
Benedikti XVI sqaroi, në vijim, se agjërimi, për të cilin Kisha na fton në këtë kohë të fortë, nuk ka të bëjë me arsye fizike ose estetike. Lidhet ngusht me pastrimin shpirtëror të njeriut, me çhelmimin e tij nga mëkati e nga e keqja; e edukon njeriun të çlirohet nga skllavëria e vetvetes, e bën më të vëmendshëm në dëgjimin e zërit të Zotit e në shërbim të vëllezërve.
“Për këtë arsye agjërimi dhe praktikat e tjera krezhmore, tradita e krishterë i konsideron si ‘armë’ shpirtërore për të luftuar të keqen, pasionet e mbrapshta e veset”.
Këtë theksoi Papa dhe në përfundim të homelisë, duke kujtuar Mesazhin e tij të Krezhmëve 2007, u përsëriti besimtarëve ftesën për t’i jetuar këto dyzet ditë hiri të posaçëm, si kohë eukaristike. Në përfundim të Meshës Shenjte besimtarët e pranishëm u përhinë, ashtu siç u përhinë të gjithë besimtarët në botën katolike.







All the contents on this site are copyrighted ©.