2007-02-21 18:48:22

Pesë vjet më parë ndërroi jetë dom Gjergj Berisha.


(21.02.2007 RV)Dom Gjergji u lind në Binçë, në vitin 1947. Vijoi studimet në shkolla të ndryshme civile e kishtare, sidomos në Kroaci, ku u përgatit për rrugën në të cilën e kishte thirrur Zoti. Sapo u shugurua, filloi misionin meshtarak. Kryesisht kreu detyrën e famullitarit të Becit, në komunën e Gjakovës.
Pesë vjet më parë, i gjithë kleri i dioqezit të Kosovës, me në krye Ipeshkvin Mark Sopi, qe mbledhur në Doblibare, për salikimet e meshtarit të ndjerë.
Dom Gjergji qe meshtar i zellshëm, i përkushtuar në shërbim të Zotit, i gatshëm për t'iu pëgjigjur kujtdo kërkonte prej tij fjalën e mirë, ndihmën në ditë të vështirë e, sidomos, Ungjillin e Krishtit. Ishte bari i dashur për grigjën që i qe besuar, të cilën vijoi ta përforconte në fe deri ditën që mbylli sytë në moshën 55 vjeçare, kur mund të bënte akoma shumë për besimtarët e vet. U la trashëgim fenë e tij të gjallë, shembullin e shkëlqyer të meshtarit, që duke u kujdesur në radhë të parë për nevojat shpirtërore, nuk i harron as ato materiale. Dëshmi e zellit të tij misionar në fushën shoqërore është Ambulanca e re në fshatin Doblibare, komuna e Gjakovës, e cila u përurua vetëm një javë para se famullitari të mbyllte sytë për dritën e kësaj bote, pa kujtuar këtu veprimtaritë e shumta e të përditshme në dobi të nevojtarëve, përmes Karitasit dhe shoqërisë së mirënjohur Kolping, që ndihmon më të varfrit ndër të varfër.Trupi i tij pushon në paqe në varrezën e Binçës.







All the contents on this site are copyrighted ©.