2007-02-20 18:32:54

Rishfaqet UCK-ja në Kosovë, një ditë para takimit serbo-kosovar në Vjenë.


(20.02.07 RV) Është nisur sot për në Vjenë delegacioni i Kosovës, që do të marrë pjesë në bisedimet e nesërme Prishtinë-Beograd mbi statusin e Kosovës. I dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari ndodhet gjithashtu në Vjenë, ku ka paraqitur propozimin e tij për Kosovën para Këshillit të Përhershëm të OSBE-së. Gjatë takimeve, që do të zhvillohen nga data 21 shkurt deri në javën e parë të marsit, Ahtisari dhe ekipi i tij do të bëjnë përpjekje që të arrihet një marrëveshje midis palëve, megjithëse kryenegociatori i OKB-së e ka bërë të ditur disa herë se nuk ka shpresa për diçka të tillë. Sipas zëdhënësit të zyrës së Ahtisarit, Remi Durlo, sugjerimet e njërës palë nuk do të mjaftojnë për të ndryshuar dokumentin nëse pala tjetër nuk do t'i pranojë ato.
Ndërkaq, dje rreth orës 21.30 në Prishtinë ka ndodhur një shpërthim që ka dëmtuar tri automjete të UNMIK-ut dhe një civile. Në skenë shfaqet hija e UCK-së, e cila merr përsipër atentatin me anë të një deklarate të shpërndarë nëpërmjet postës elektronike. Vërtetësia e mesazhit nuk është konfirmuar, por sipas tij, UCK-ja është rigrupuar dhe me shpërthimin e Prishtinës ka marrë hak për dy personat e vrarë gjatë protestave të 10 shkurtit. Presidenti dhe kryeministri i Kosovës e kanë dënuar atentatin dhe kanë kërkuar zbulimin e autorëve të këtij akti. Nga ana tjetër, kryeministri serb Koshtunica ka kërkuar që bashkësia ndërkombëtare ta shikojë me imtësi çështjen, pasi këto janë përpjekje të ekstremistëve shqiptarë për të shpejtuar procesin e shkëputjes së Kosovës nga Serbia.







All the contents on this site are copyrighted ©.