2007-02-20 18:33:18

NATO-ja kontrollon shtëpitë e fëmijëve në Bosnjë, por nuk e gjen Karaxhiqin e lajme të tjera.


(20.02.07 RV) Trupat e NATO-s në Pale të Bosnjës kanë kontrolluar shtëpitë e djalit dhe të vajzës së Radovan Karaxhiqit, i akuzuar për krime lufte. Zëdhënësi i NATO-s, Derek Capell sqaroi se dyshohej që ata mbështesin të atin. Gjatë operacionit është sekuestruar një sasi materiali, por Karaxhiqi nuk është gjetur. Mendohet se ai zhvendoset ndërmjet Bosnjës, Serbisë dhe Malit të Zi që nga viti 1995, kur u akuzua për gjenocid nga Gjykata e Hagës.

Së paku 22 të vdekur, rreth 40 të plagosur e mëse 130 të helmuar për shkak të katër shpërthimeve në Irak, njëri prej të cilëve ka hedhur në erë një kamion që transportonte klor në gjendje të gaztë. Dje, mëse 40 irakianë dhe pesë ushtarë amerikanë humbën jetën në valën e shpërthimeve dhe sulmeve të tjera në Irak.


Presidenti iranian, Ahmadinexhad deklaroi sot se nuk do të ndërpresë programet e pasurimit të uraniumit brenda ditës së nesërme, siç kërkohet nga rezoluta e Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Kjo do të thotë që nesër do të hyjnë në fuqi sanksionet ekonomike kundër Teheranit, të parashikuara nga dokumenti.


Presidenti palestinez Abu Mazen është nisur sot për një mision në Jordani, Britani të Madhe, Gjermani dhe Francë. Qëllimi është të gjejë mbështetje për formimin e një qeverie të bashkimit kombëtar, siç parashikohet nga marrëveshja e Mekës. Organizata Hamas vazhdon të refuzojë njohjen e shtetit të Izraelit, prandaj bashkësia ndërkombëtare nuk ka ndërmend të rifillojë ndihmat ndaj palestinezëve.


Me vdekjen e një të riu pakistanez 17-vjeçar u rrit në 68 numri i viktimave të djegies së trenit të paqes, trenit që lidh Indinë me Pakistanin. Sot vdiq në spital edhe ministrja pakistaneze e Cështjeve Sociale, e cila u godit në kokë gjatë një atentati. Është krijuar përshtypja se dikush kërkon të minojë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë ndërmjet Indisë dhe Pakistanit, pikërisht në momentin kur dy vendet i kanë lënë pas urrejtjet e luftrave të shpeshta ndërmjet tyre.







All the contents on this site are copyrighted ©.