2007-02-20 18:26:12

Benedikti XVI do ta kremtojë të Mërkurën e Përhime në Bazilikën romake të Shën Sabinës.


(20.02.2007 RV)Nesër është e Mërkura e Përhime, e me të fillojnë Krezhmët. Sipas njoftimit të zyrës papnore të kremtimeve liturgjike, nesër paradite Papa do të takohet me shtegtarët në audiencën e zakonshme të përgjithshme në Vatikan, ndërsa pasdite do të shkojë në Aventin, ku do të kryesojë një takim urate në formën e “Stacioneve” romake.
Kremtimi do të fillojë me një çast lutjeje në Kishën e Shën Anselmit. Më pas do të vijojë proçesioni drejt Bazilikës së Shën Sabinës, ku do të kremtohet Eukaristia me ritin e përhimjes.
Në Mesazhin për Krezhmët e këtij viti, të cilin e komenton në mikrofonin tonë kryeipeshkvi Angelo Komastri, vikar i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit, Benedikti XVI i fton besimtarët t’i drejtojnë sytë nga Krishti i kryqëzuar:
Përgjigje: - Papa na e bën këtë ftesë, sepse është themelore. I krishteri nuk mund të mos e shikojë të Kryqëzuarin, sepse pikërisht duke ia ngulur sytë të Kryqëzuarit kuptohet sa i rëndë është mëkati. Kuptohet se mëkati bën keq, bën keq deri në atë masë, sa shenjti, i drejti, zemërbuti, i përvujti, dmth Hyji, duke hyrë në këtë botë, kryqëzohet, pikërisht sepse bota është e sëmurë nga mëkati. Duke ia drejtuar sytë të Kryqëzuarit, ne ndjejmë ftesën për t’u penduar. Nga ana tjetër, kur e kuptojmë sa i rëndë është mëkati, në se Zoti nuk do të na dërgonte edhe një mesazh tjetër, do të ishim në rrezik të humbisnim guximin, pikërisht duke shikuar të Kryqëzuarin e pasojat e mëkatit. Po Zoti na kujton se është gati të na falë, Zoti të do deri në atë pikë, sa e lë veten ta kryqëzojnë, sepse dëshiron të të thotë se, pavarësisht nga mëkati yt, Hyji të do dhe është gati të të përqafojë e të rifillojë, së bashku me ty, gjithë rrugën e pendimit, që të çon tek Ai.
Pyetje: - Benedikti XVI kërkon edhe që t’i jetojmë Krezhmët si kohë eukaristike. Si mund ta mishërojmë këtë kërkesë në jetën tonë të përditshme?
Përgjigje: - Eukaristia është Kalvari mes nesh. Eukaristia është i Kryqëzuari, i pranishëm në jetën tonë të përditshme. Atje e takojmë konkretisht Jezusin. Atje e takojmë me forcën që rinon e që shëron. Kush e jeton Eukaristinë, mund të jetë i sigurtë se ecën në rrugën e shenjtërisë. Eukaristia është buka që shenjtëron, Eukaristia është buka që pastron, buka që rinon shpirtin e bën të lindë në të shenjtëria.
Pyetje: - Mesazhi papnor i Krezhmëve të këtij viti përqëndrohet tek dashuria e Zotit. E Benedikti XVI kujton pikërisht eros-in e Hyjit për njeriun…
Përgjigje: - Duhet ta kuptojmë mirë ç’do të thotë eros-i i Zotit. Papa, që është njohës i hollë dhe i thellë i Shkrimit Shenjt, e di mirë se në të gjithë Besëlidhjen e Vjetër, e edhe në Ungjill, nënvizohet pikërisht dashuria e thellë e Zotit për njerëzimin, edhe pse njerëzimi vijon ta plagosë Zotin, ta fyejë Zotin. Në Kapitullin e 11-të të Librit të Ozesë Profet, lexojmë: “Kur Izraeli ishte djalë, unë e doja, e prej Egjiptit e thirra birin tim. Por sa më shumë i thërrisja, aq më tepër largoheshin prej meje. E unë i mbartja para duarsh, po ata s’e kuptonin se për ta kujdesohesha”. Njerëzit largohen nga Zoti e megjithatë ai vijon t’i dojë e të thotë: “Si të heq dorë prej teje, Efraim. Zemra ime në mua përmallohet; dhimbja ndizet flakë brënda meje. Nuk do ta shfrej zemërimin tim, s’do të kthehem ta shkatërroj Efraimin, sepse jam Zot e jo njeri”. E Zoti nuk ka as hijen e hakmarrjes. Zoti është vetëm dashuri, dashuri e tillë, që nuk zhduket as kur njeriu e fyen. Edhe atëhere Zoti dëshiron kthimin e njeriut në bashkim me të. Të njëjtën gjë e gjejmë edhe në Ungjill, kur njerëzit ankohen se Zoti rri e madje edhe ha me mëkatarët, gjë që është shenja më e lartë e bashkimit të njeriut me njeriun. Njerëzit shkandullohen e atëherë Jezusi thotë: “Në qiell do të ketë më shumë gëzim për një mëkatar që pendohet e kthehet, se për nëntëdhjetë e nëntë të drejtë, që s’kanë nevojë të kthehen”. Atëherë mund të themi me plot gojën se Zoti është si bariu. Delja ikën, po Zoti nuk thotë: “S’më bëhet vonë fare e s’e kam ndër mend të shkoj e ta kërkoj. Kam dele të tjera, pse të lodhem për një që humbi?”. Ky është misteri i bukur i Hyjit, që e njeh vetëm krishterimi.







All the contents on this site are copyrighted ©.