2007-02-20 18:28:38

16-vjetori i rrëzimit të monumentit të Enver Hoxhës në Tiranë


(20.02.2007 RV)Shfletojmë Kalendarin për të kujtuar një datë që, pas 16 vjetësh, të ngjall ndjenja të ndryshme kontradiktore. Më 20 shkurt 1991 populli i Tiranës rrëzoi nga piedestali në qëndër të sheshit Skënderbej monumentin e Enver Hoxhës të cilin, si e hoqi zvarrë përgjatë rrugëve të kryeqytetit, e coptoi. E copat u rrëmbyen për t'u ruajtur si "Hajmali të lirisë", si kujtim i kësaj dite, që disave iu pat dukur "ditë e madhe", pak a shumë siç u bë me tullat e copat e suvasë së Murit të Berlinit.
Po sot, pas 16 vjetësh, kur ka kaluar e është ftohur dalldia e asaj ore, e zevendësuar me dalldi votimesh e mitingjesh, ftoresh e humbjesh, ngjarja meriton të analizohet me gjak të ftohtë, për të xjerrë prej saj mësimin e madh të historisë.
Ta lexojmë pra atë që ngjau 16 vjet më parë me syrin e kohës së sotme: nuk mund të mos na çuditë fakti se ka akoma nga ata njerëz, që do të dëshironin ta ngrinin përsëri monumentin e që bëjnë pa pikë turpi pyetjen: "Pse të mos e ketë Enveri monumentin në Tiranë? Lenini e ka; Duçja gjithashtu.", pyetje që bëhet pikërisht kur në Moskë flitet për ta hequr edhe Leninin, pas Stalinit, nga Sheshi i Kuq.
S' është çudi që, thjeshtë për të bërë rimë, duke qenë shtetas të një vendi demokratik, ku lejohet të bësh ç'të duash, ndokush të na kërkojë të ngrejë në mes të Tiranës edhe hitlerët. E doemos - bunkerët!
Nuk mund të mos kujtojmë, me këtë rast, një notë të ipeshkvijve çekë, shkruar pak ditë më parë, në valën e polemikës për priftinjtë e akuzuar si spijunë të sigurimit, përmes së cilës shpjegojnë se Kisha, mbi të gjitha, ka qenë e persekutuar, ka qenë viktimë. Është për t’u çuditur – shënohet në notë – që mjetet e komunikimit sulmojnë njerëz, të cilët në fund të fundit kanë qenë viktima, ndërsa tolerojnë pa fjalë, praninë e komunistëve të djeshëm ose të trashëgimtarëve të tyre në parlament e në të gjitha postet më të rëndësishmne të shtetit. Ndërsa duke shfletuar shtypin e sotëm shqiptar, në gazetën Shekulli lexojmë një pjesë nga paraqitja që i bëri fotografi francez, Yves Rousselet, ekspozitës së tij "Albanie de L'Enver à l'endroit":“Unë personalisht refuzoj ta shikoj Shqipërinë në këndvështrimin e një pesimizmi të vazhdueshëm, apo të nostalgjisë për të realizuar fotografi njerëzore të vonuara. Por ekziston vërtet një Enver pas dekorit të këtij vendi. Në ndërtesat e larta shumëkatëshe. Por edhe për sa kohë kështu…”. Prandaj shokët e djeshëm me të drejtë besojnë se nuk do të jetë shumë e vështirë t’u realizohet çdo propozim, përderisa atyre vetë s'u ka hyrë ferrë në këmbë, ndërsa portreti i të zot, fajtorit të vërtetë të gjendjes së sotme katastrofike të vendit, zhduket e riduket deri ndër muret e ministrive të Shqipërisë së sotme të lirë e demokratike, që me sa duket do të mbetet edhe për shumë kohë "Anës detit - e palarë,/ anës dritës - e paparë;/ pranë sofrës - e pangrënë,/ pranë dijës- e panxënë,/ lakuriq dhe e dregosur, / trup e shpirt e sakatosur".







All the contents on this site are copyrighted ©.