(19.02.2007 RV)Shfletojmë kalendarin
për të përkujtuar 128 vjetorin e lindjes të atdhetarit të flaktë, politikanit të pakorruptueshëm,
studiuesit, shkrimtarit dhe publiscistit të shquar të Rilindjes sonë Kombëtare, laikut
katolik Luigj Gurakuqi. Vështirë ta përmbledhësh në pak fjalën figurën e tij vigane! Luigj
Gurakuqi, shembull i pashembullt në jetën kombëtare e politike të sotme shqiptare,
lindi në një familje të njohur katolike shkodrane më 19 shkurt 1879. Nxënës i Kolegjës
Saveriane të Etërve jezuitë, ai u rrit në mjedisin e Shkodrës katolike me frymën e
përkushtimit "Për Fé e Atdhé", përkushtim që e thelloi më tutje ndërsa vijonte studimet
në Shën Mitër Korone, ku pati fatin të ishte nxënës i De Radës. Bëri emër në shtypin
shqiptar si publicist e poet me pseudonimet Jakin Shkodra dhe Lekë Gruda. Shkrimet
e tij publicistike u botuan në "Albaninë" e Konicës, në “Kalendarin Kombiar", në "Drita"
e organe të tjera të shtypit të kohës. Vjershat e tij tashmë janë përmbledhur në një
vëllim të vetëm, që përfshin edhe studimin "Vargnimi në gjuhën shqipe", një nga sprovat
e para të studimit të metrikës shqipe. Botoi edhe shumë tekste shkollore. Qe anëtar
i shoqërisë "Bashkimi", pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, Drejtor i parë i Normales
së Elbasanit, krahu i djathtë i Ismail Qemalit në ngritjen e Flamurit kombëtar në
Vlorë më 28 nëntor 1912. Pas krijmit të shtetit shqiptar, u ul në postin e ministrit
të arsimit, prej nga i dha jetë Komisisë Letrare. Mori pjesë edhe në Konferencën e
Paqes në Paris. Antizogist i flakët, tribun i popullit, "gojëmjaltë e zemërhekur",
pas fitores së Zogut u arratis në Bari të Italisë, ku këtë "Vigan liberator" e vranë,
sepse - siç shkruan bashkëluftëtari i tij i ngushtë, Fan Noli: "E deshi Shqipërinë,
kur s'e deshnin/ E qau, kur e qeshnin/ E veshi, kur e çveshnin". E Shqipëria e
asaj kohe s'i dha as varr - për hor! Ndërsa sot eshtrat e tij prehen pas një mali
me plehra, në atë që njihet si varreza e dëshmorëve, në rrugën që çon nga Shkodra
në Rrencë. Por shkruan Gurakuqi në kryeveprën e vet poetike "Qindresa": "Veç një qëllim
i naltë të ban me durue/ e zemrën ta forcon/ ndër kundërshtime s'vyen kurr me u ligshtue/
Mjer ai që nuk duron!".