2007-02-17 17:11:07

Pajtim, vërtetësi e drejtësi: këtë kërkojnë ipeshkvijtë kolumbianë në komunikatën përfundimtare të asamblesë së 82-të plenare.


(18.02.2007 RV)RealAudioMP3 “Sfida e sotme kryesore për popullin kolumbian është pajtimi me Zotin e me vetveten, me të tjerët e me gjithësinë”. Këtë pohojnë ipeshkvijtë e Kolumbisë në komunikatën përfundimtare të mbledhjes së tyre plenare. Prelatët kujtojnë se vendi ka bërë hapa përpara, por nuk ka mundur ta realizojë plotësisht dëshirën për vendosjen e paqes. E shkaku kryesor i konflikteve duhet kërkuar në gënjeshtrat që mbretërojnë në botën e politikës. Duhet të thuhet, më në fund, e vërteta – pohojnë ipeshkvijtë – për të ringjallur besimin e njerëzve e për t’u kthyer dinjitetin viktimave të poltikave të gabuara, që janë protagonistë kryesor të pajtimit e të faljes. Kërkojmë të thuhet e vërteta – vijojnë ipeshkvijtë, - edhe për të sqaruar pse shumë sektorë, grupe e individë, vijojnë t’i persekutojnë mbartësit e vlerave që mbron Kisha e që burojnë nga Ungjilli. E vërteta është se Kisha mbron jetën, dinjitetin njerëzor, familjen, vlera që i kundërvihen kriminalitetit të përhapur deri në sferat më të larta të politikës. Prandaj nuk gjen mbështetjen e duhur në shoqërinë e sotme kolumbiane, ku vijon veprimtaria e grupeve të armatosura, që i kundërvihen kërkesës së Kishës për dialog e pajtim si dhe rrëmbimi i njerëzve, që shkakton shqetësime të thella në gjirin e shoqërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.