2007-02-17 17:10:49

Mesazhi i Krezhmëve i Benediktit XVI: në Kryq shikojmë shembullin më të ndritur të ‘agape-s’ e të ‘eros-it’ të Hyjit për njeriun. Papa i fton të krishterët t’i jetojnë Krezhmët duke mbrojtur dinjitetin e njeriut.


(18.02.2007 RV)RealAudioMP3 Krishti që vdes mbi Kryq është zbulesa më tronditëse e dashurisë së Zotit: tregon njëkohësisht si agape-n e Hyjit, dmth dhuratën e dashurisë që i bën njeriut – ashtu dhe forcën e eros-it hyjnor, dmth dëshirën e Zotit që njeriu ta pranojë dashurinë e tij. Ky mësim i Benediktit XVI përbën thelbin e Mesazhit të tij për Krezhmët që do të fillojnë të mërkurën e ardhshme. E Papa u kërkon gjithë të krishterëve t’i jetojnë Krezhmët si ‘kohë eukaristike’ dmth duke iu kundërvënë me gjithë zemër çdo gjëje që fyen dinjitetin njerëzor.
Krezhmët 2007 kanë në qendër të vëmendjes dramën e Kalvarit, misterin e dashurisë që kryhet mbi Golgotë, zbulesën e agape-s e të eros-it të Hyjit, me të cilat Zoti e do njerëzimin. Koha e Krezhmëve është e duhet të jetë përvojë e re e dashurisë së Hyjit, që na dhurohet në Krishtin.
Mesazhi i Benediktit XVI për Krezhmët 2007 u paraqit të marten e kaluar në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë.
Sipas njoftimit të Zyrës Papnore të kremtimeve liturgjike, më 21 shkurt 2007, të Mërkurën e Përhime, ditë me të cilën nisin Krezhmët, në Bazilikën romake të Shën Sabinës do të kremtohet një takim urate, i kryesuar nga Benedikti XVI në formën e “Stacioneve” romake, pasuar nga Eukaristia me ritin e përhimjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.