2007-02-15 18:09:12

Sfida edukative për të rinjtë para ideologjisë së dhunës.


(15.02.07 RV) RealAudioMP3 Pas arrestimeve të disa të rinjve italianë që bëjnë pjesë në Brigadat e reja të Kuqe, Kisha e vendit pyet se çfarë duhet të ndryshojë në edukimin e tyre e ç’rol mund të luajë famullia e organizatat e ndryshme kishtare në krijimin e një kulture të vërtetë paqeje. Duket sikur për brezin e ri, përdorimi i dhunës nuk është më diçka për t’u dënuar, që s’duhet bërë në asnjë mënyrë, por është diçka që jetohet përditë, duke treguar kështu një mendjelehtësi të jashtëzakonshme. Flet në mikrofonin tonë, imzot Arrigo Milio, president i Komisionit të Konferencës Ipeshkvnore Italiane për Problemet shoqërore e punën:
Problemi i të rinjve, e dimë që është shumë i rëndë. Por, ky lajm, hapi një të çarë në botën e të rinjve. Këta të rinj nuk janë të diskotekave, apo të argëtimit me çdo kusht, janë të rinj që ndjekin një ideologji, edhe pse të gabuar. Kjo kërkon nga të gjithë ne të ngremë vigjilencën edukative. Pak si tepër shpejt thamë se ideologjitë kanë vdekur, kanë kaluar, ndërkaq ideologjitë ekzistojnë. Por fshehin një përzierje eksplozive ndërmjet ideologjive të reja e të vjetra, që kanë baza të përbashkëta, të thella, që prekin antropologjinë. Është me të vërtetë paradoksale që me të gjitha fjalët për paqen që kemi thënë gjatë këtyre viteve, dhuna rrezikon të bëhet një kulturë e përbashkët, një kulturë e pranueshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.