2007-02-15 18:07:17

Serbët kundër pavarësisë së Kosovës. Reagime ndërkombëtare.


(15.02.07 RV) Sot, në festën kombëtare të Serbisë, liderët serbë përsërisin nëpër manifestime, qëndrimin që mbajti dje parlamenti i ri serb, i mbledhur për herë të parë pas zgjedhjeve. Me një rezolutë të miratuar unanimisht, parlamenti u shpreh kundër propozimit të Ahtisarit për Kosovën. Ish-kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica paralajmëroi se njohja e pavarësisë së Kosovës, do të kishte pasoja të rrezikshme. Ai e quajti një veprim të tillë “dhunë kundër një kombi demokratik evropian”. “Nëse ndokush guxon të cënojë territorin e Serbisë, duhet të marrë përsipër përgjegjësinë për një dhunim të tillë”.
Vetë kryenegociatori i OKB-së për Kosovën, Marti Ahtisari i pyetur për rezolutën e parlamentit serb, ka deklaruar se ka pak gjasa që Beogradi e Prishtina të gjejnë një konsensus për statusin e ardhshëm të Kosovës.
Nga ana tjetër, Moska reagon sot, nëpërmjet të dërguarit të ministrisë së jashtme për Ballkanin, Aleksandër Botsan-Karçenko, i cili ka deklaruar se plani i Ahtisarit nuk është bazë e mirë në përcaktimin e statusit. Gjithsesi, ai saktëson se përdorimi i vetos nga Rusia nuk është qëllim në vetvete. Gjatë takimit me presidentin rumun në Bukuresht, edhe presidenti grek Karolos Papulias u bëri thirrje sot organizmave ndërkombëtare që të gjejnë një zgjidhje të pranueshme si për serbët, ashtu edhe për kosovarët, pavarësisht nga koha që do të kërkojë një detyrë e tillë. Nga Franca, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, shprehu sot shpresën që të dyja palët ta shqyrtojnë hollësisht planin e Ahtisarit. Fakti, që parlamenti serb dënon planin e Ahtisarit në rezolutën e tij, por konfirmon praninë e ekipit negociator serb në Vjenë, e bën Francën të shpresojë se Beogradi do ta studiojë thellë propozimin.







All the contents on this site are copyrighted ©.