2007-02-14 18:15:08

Lajme nga bota.


(14.02.07 RV)RealAudioMP3 11 vetë janë vrarë nga një shpërthim bombe në qytetin juglindor të Iranit, Zahedan. Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve njoftoi se bomba ka goditur një autobus të forcave të Gardës revolucionare të Iranit. Atentati është marrë përsipër nga një grup sunit ekstremist që quhet Brigada e Allahut.
Ndërkaq, Zvicra është një ndër të parat që vë në zbatim rezolutën 1737 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për sanksione kundër Iranit. Këshilli federal helvetik ka ndaluar eksportimin e të gjitha mallarave që mund të hyjnë në programin bërthamor iranian.


Himni kombëtar libanez hapi sot në Bejrut manifestimin e madh, të organizuar nga partitë e shumicës parlamentare antisiriane në sheshin e Martirëve, në përvjetorin e dytë të vrasjes së ish-kryeministrit Rafik Hariri. Mbi varrin e liderit, në xhaminë Al-Amin, u mblodhën në lutje kryeministri Siniora dhe krejt qeveria. Mijëra libanezë erdhën nga të katër anët e vendit për të nderuar kujtimin e ish-kryeministrit në një klimë të tensionuar. I biri e mbylli manifestimin me një thirrje për dialog me hezbollahët.


“Të imponojmë ligjin”: ky është emri i planit të ri për sigurinë në Bagdad, shpallur sot nga kryeministri irakian Al Maliki. Siguria në kryeqytet do të garantohet nga një Komandë interforce prej 80 mijë personash nga Ushtria dhe Policia, në bashkëpunim me forcat amerikane. Mëse 30 mijë postblloqe dhe ndalim qarkullimi nga ora 20 deri në orën 6 të mëngjesit. Mbyllet kufiri me Sirinë dhe Iranin. Me këto masa sigurie, qeveria e Irakut shpreson të ndalë valën e dhunës që prej kohësh ka përfshirë vendin, duke e çuar në cakun e luftës civile. Ndërkaq, amerikanët njoftojnë se lideri shiit Moktada al Sadr është larguar në drejtim të Iranit, para se të fillonte zbatimi i planit të ri. Forcat e koalicionit kanë arrestuar 27 persona që dyshohen si ekstremistë të lidhur me terroristët e Al Kaidës.


E ndërsa në Itali vazhdojnë arrestimet e anëtarëve të Brigadave të reja të Kuqe, në Francë policia ka filluar sot një operacion kundër terrorizmit, në kuadrin e të cilit në Paris e Tuluzë janë arrestuar 9 vetë. Më një komunikatë, Ministria e Brendshme njofton se të arrestuarit “dyshohen të jenë në kontakt me organizatën terroriste Al Kaida”. Ndër ta, katër gra.


Agjensia ndërkombëtare e Energjisë Atomike në Vjenë është gati të nisë inspektorët e vet për të kontrolluar programin bërthamor të Koresë së Veriut, pas marrëveshjes së arritur dje nga gjashtë vendet pjesëmarrëse në bisedimet për këtë qëllim. Agjensia duhet të verifikojë nëse të gjitha aktivitetet bërthamore në vend kanë qëllime paqësore. Dje, Koreja e Veriut pranoi të ridimensionojë programin e saj bërthamor, në këmbim të furnizimit me energji elektrike nga jashtë.


Mbi territorin evropian kanë fluturuar 1245 avionë, me mision sekret nga CIA. Parlamenti evropian miratoi sot relacionin përfundimtar të komisionit të jashtëzakonshëm hetimor mbi fluturimet sekrete të Cia-s amerikane. Në raport kritikohen vende të ndryshme evropiane, për bashkëpunimin e paktë në nxjerrjen në dritë të fakteve, që përbëjnë dhunim të të drejtave themelore. Të përfshirë në këto udhëtime sekrete, të pashpallura zyrtarisht, që kanë shërbyer shpesh për të kapur persona të padëshiruar për amerikanët, edhe shtete si Maqedonia, Bosnja, Greqia e Rumania.







All the contents on this site are copyrighted ©.