2007-02-14 17:23:30

Festa e Apostujve të popujve sllavë, Çirilit e Metodit, bashkëpajtorë të Evropës.


(14.02.2007 RV)RealAudioMP3 Në pagëzim u quajtën Kostantin e Mikel e ishin të bijtë e Leonit, gjykatës në Selanik. Çirili e Metodi janë emrat e tyre murgarë. Çirili, më i riu, u edukua në Kostantinopojë së bashku me perandorin e ardhshëm, Mikelin III. Quhej filozofi, sepse jepte mësime filozofie. Metodi, ndërkaq, ishte epror në një manastir në Bitinie mbi malin e Olimpit, pasi kishte qenë qeveritar në një nga provincat e perandorisë.
Shën Çirili e Shën Metodi qenë vëllezër gjaku e vëllezër apostullimi. Porsá morën urdhërin e meshtarisë, kaluan në Moraví për të predikuar Ungjillin. Qenë këta të parët, që sajuan alfabetin sllav, të quajtur më vonë çirilik dhe që përkthyen në gjuhën sllave Shkrimin Shenjt e Liturgjinë.
U dukën në skenën e historisë, në shekullin IX, kur perandori Mihali III i Kostantinopojës i dërgoi princit Rastislav të Moravisë, dy ungjillëzuesit që kishte kërkuar. Niste kështu ungjillëzimi i dy vëllezërve Selanikas, Çirilit e Metodit, apostuj të mëdhenj të Lindjes.
Rastislavi dëshironte misionarë nga Kostantinopoja, sepse nuk u besonte predikatarëve “latinë”- siç i quante ai, e sidomos atyre me origjinë gjermanike. Së bashku me dy vëllezërit, u nisën edhe disa bashkëpunëtorë, ndërmjet të cilëve edhe Shën Klementi, që duhet të kishte kryer studime serioze, sepse u bë bashkëpunëtor i ngushtë i Metodit në veprimtarinë për përshtatjen e liturgjisë së Lindjes në gjirin e popullsive që ktheheshin pak nga pak në fenë e krishterë. Vite me radhë dy vëllezërit selanikas shtegtuan nga Moravia në Panoni (Hungaria e sotme), nga Roma në Serbinë e sotme. Ungjillëzimi i Evropës lindore vështirësohej nga rivalitetet politike. Misionarët gjermanikë shikoheshin me mobesim, si vegla në duart e princërve të tyre. E njëjta gjë ndodhte kur ndokush niste ungjillëzues nga Lindja në emër të krishtërimit “latin”. Mosmarrëveshjet nganjëherë bëheshin aq të ashpra, sa i detyronin Shenjtorët vëllezër të largoheshin në drejtime të tjera.
Kështu dy Shenjtorëve vëllezër iu desh të vuajnë shumë, por ia dolën të kthejnë në fé popuj e fise sllave. Si u thirrën në Romë, Çirili vdiq me 14 shkurt 869, ndërsá Metodi u shugurua ipeshkëv e u kthye në Panoní, ku vazhdoi misionin si legat i Selisë së Shenjtë pranë popujve të rinj të kristianizuar prej tij. Vdiq në Velehrad të Çekisë me 6 prill 885.Me 31 dhjetor 1980 Papa Gjon Pali II i shpalli Bashkëpajtorë të mbarë Europës, së bashku me Shën Benediktin.







All the contents on this site are copyrighted ©.